Psalmet 80 Bibla Shqip (ALBB)

1. Dëgjo, o bari i Izraelit, që udhëheq Jozefin si një kope; ti që rri mbi Kerubinët, shkëlqe në lavdinë tënde.

2. Rizgjoje fuqinë tënde përpara Efraimit, Beniaminit dhe Manasit, dhe eja të na çlirosh.

3. O Perëndi, na përtëri fuqitë, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe ne do të shpëtojmë.

4. O Zot, Perëndi i ushtrive, deri kur do të jesh i zemëruar kundër lutjes së popullit tënd?

5. Ti u ke dhënë për të ngrënë bukë të njomur me lot, dhe u ke dhënë për të pirë lot me shumicë.

6. Ti na ke bërë objekt mosmarrëveshjeje për fqinjët tanë, dhe armiqtë tanë qeshin njëri me tjetrin.

7. O Perëndi i ushtrive, na përtëri forcat tona; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë përsëri dhe do të shpëtojmë.

8. Ti çove jashtë Egjiptit një hardhi; i dëbove kombet dhe e mbolle.

9. Ti e pastrove dheun para saj dhe ajo lëshoi rrënjë dhe e mbushi dheun.

10. Malet u mbuluan nga hija e saj dhe cedrat e Perëndisë me degët e saj.

11. I zgjati degët e saj deri në det dhe lastarët deri te lumi.

12. Pse i prishe gjerdhet e saj dhe kështu tërë kalimtarët kanë mundësi të korrin frytet e saj?

13. Derri i egër i pyllit e shkreton dhe egërsirat e fushës kullotin aty.

14. O Perëndi i ushtrive, të lutemi kthehu; shiko nga qielli, vështro dhe vizito këtë vresht

15. dhe drurët që mbolli e djathta jote dhe filizin që e ke forcuar për ty.

16. Ajo u dogj nga zjarri dhe është prerë; ata vdesin para kërcënimit të fytyrës sate.

17. Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtë tënde, mbi njeriun që ti e ke bërë të fortë për ty.

18. Kështu ne nuk do të largohemi më prej teje. Na ngjall dhe ne do të kërkojmë emrin tënd.

19. O Zot, Perëndia i ushtrive, na përtëri; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe do të shpëtojmë.