Psalmet 29 Bibla Shqip (ALBB)

1. I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.

2. I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.

3. Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.

4. Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.

5. Zëri i Zotit thyen cedrat; po, Zoti thyen cedrat e Libanit;

6. i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.

7. Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.

8. Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.

9. Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".

10. Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.

11. Zoti do t'i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.