Psalmet 106 Bibla Shqip (ALBB)

1. Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

2. Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?

3. Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.

4. Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,

5. me qëllim që të shoh mirëqenien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.

6. Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.

7. Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq.

8. Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.

9. I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë.

10. I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut.

11. Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre.

12. Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij.

13. Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij.

14. U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi.

15. Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre.

16. Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit,

17. toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit.

18. Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët.

19. Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë,

20. dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëlltyrën e një kau që ha bar.

21. Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt,

22. mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.

23. Prandaj ai foli t'i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t'i shkatërronte.

24. Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij,

25. por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit.

26. Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t'i rrëzonte në shkretëtirë,

27. dhe se do t'i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t'i shpërndante në të gjitha vendet.

28. Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve.

29. E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja.

30. Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi.

31. Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë.

32. Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre,

33. sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij.

34. Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti;

35. por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre;

36. u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta;

37. ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre,

38. dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujt e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur.

39. Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre.

40. Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij.

41. I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin.

42. Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre.

43. Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre.

44. Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre,

45. dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhembshurinë e madhe të tij u qetësua.

46. Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri.

47. Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.

48. I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.