Psalmet 8 Bibla Shqip (ALBB)

1. Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejt!

2. Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t'i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit.

3. Kur mendoj qiejt e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,

4. çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?

5. Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.

6. E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!

7. Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra,

8. zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.

9. O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!