5. Pastaj engjëlli mori temjanicën, e mbushi me zjarr nga altari dhe e hodhi mbi tokë. Atëherë shpërthyen bubullima, zëra, vetëtima dhe tërmete.
6. Shtatë engjëjt, që mbanin shtatë trumbetat, i bënë gati për t’u rënë.
7. I ra trumbetës engjëlli i parë. Atëherë shpërtheu breshër e zjarr përzier me gjak dhe u lëshua mbi tokë. Një e treta e tokës u dogj bashkë me një të tretën e pemëve dhe me gjithë barin e gjelbër.
8. I ra trumbetës engjëlli i dytë. Atëherë diçka si shkëmb i madh që digjej zjarr u lëshua në det. Një e treta e detit u bë gjak,
9. një e treta e gjallesave të detit ngordhi dhe një e treta e anijeve u shkatërrua.
10. I ra trumbetës engjëlli i tretë. Atëherë një yll i madh që digjej si pishtar, ra nga qielli mbi një të tretën e lumenjve dhe mbi burimet e ujërave.
11. Emri i yllit ishte Pelin. Një e treta e ujërave u bë e hidhur si pelini dhe shumë njerëz vdiqën nga ujërat e hidhur.
12. I ra trumbetës engjëlli i katërt. Atëherë u godit një e treta e diellit, një e treta e hënës dhe një e treta e yjeve, që të errësohej një e treta e tyre. Kështu dita humbi një të tretën e ndriçimit, po ashtu edhe nata.