5. Kur theu vulën e tretë, dëgjova zërin e gjallesës së tretë që më tha: «Eja!». Pashë një kalë të zi dhe kalorësin që mbante një peshore në dorë.
6. Dëgjova edhe një si zë që dilte nga mesi i katër gjallesave që tha: «Një kilogram grurë për një denar dhe tre kilogramë elb për një denar. Vajin dhe verën mos i prek!».
7. Kur theu vulën e katërt, dëgjova zërin e gjallesës së katërt që më tha: «Eja!».
8. Pashë një kalë të zbehtë dhe kalorësin që e kishte emrin Vdekja. Pas tij vinte ferri. Atyre iu ishte dhënë pushteti për të vrarë një të katërtën e tokës me shpatë, me zi buke, me epidemi dhe me bishat e tokës.
9. Kur theu vulën e pestë, pashë nën altar shpirtrat e atyre që ishin vrarë për fjalën e Perëndisë dhe për dëshminë që kishin dhënë.
10. Ata thirrën me zë të lartë: «Deri kur, o Sundues i shenjtë dhe i vërtetë, do të presësh për të gjykuar dhe për të marrë shpagim për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi tokë?».
11. Secilit prej tyre iu dha nga një rrobë e bardhë dhe iu tha të presin edhe pak kohë, derisa të plotësohej numri i bashkëshërbëtorëve dhe i vëllezërve që do të vriteshin si ata.
12. Kur pashë Qengjin të thyejë vulën e gjashtë, ra një tërmet i madh. Dielli u errësua si rrobë vajtimi dhe hëna u bë e tëra si gjak.
13. Yjet e qiellit ranë në tokë, ashtu si bien kokrrat e papjekura nga fiku kur e tund era e fortë.
14. Qielli u zhduk si një pergamenë që mblidhet, ndërsa malet dhe ishujt lëvizën nga vendi.
15. Mbretërit e tokës, të mëdhenjtë, prijësit e ushtrisë, të pasurit, të fortët, të gjithë, skllevër dhe të lirë, u fshehën nëpër shpella e nëpër shkëmbinjtë e maleve
16. dhe u thoshin maleve dhe shkëmbinjve: «Bini mbi ne dhe na fshihni nga sytë e atij që rri ulur në fron dhe nga zemërimi i Qengjit,
17. sepse erdhi dita e madhe e zemërimit të tyre; e kush mund t’i bëjë ballë asaj?».