Veprat 9:22-42 Së Bashku (ALNT)

22. Sauli forcohej gjithnjë e më shumë e i habiste judenjtë që jetonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezui është Krishti.

23. Pasi kaluan disa ditë, judenjtë i ngritën kurth për ta vrarë,

24. por Sauli e mori vesh kurthin e tyre. Natë e ditë ata i ruanin portat e qytetit që ta vrisnin Saulin.

25. Atëherë dishepujt e tij e morën natën, e nxorën nga e çara e një muri dhe e zbritën me një kosh.

26. Kur arriti në Jerusalem, ai u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë prej tij, sepse nuk besonin që ai ishte dishepull.

27. Megjithatë, Barnaba e mori, e solli te apostujt dhe u tregoi sesi Sauli gjatë udhëtimit kishte parë Zotin, i cili i kishte folur, e sesi Sauli kishte predikuar me guxim në Damask në emrin e Jezuit.

28. Atëherë Sauli ndenji me apostujt dhe hynte e dilte nga Jerusalemi, duke predikuar me guxim në emër të Zotit.

29. Ai fliste e diskutonte me judenjtë greqishtfolës, por ata përpiqeshin ta vrisnin.

30. Kur vëllezërit e morën vesh këtë gjë, e çuan Saulin në Cezare dhe që andej e dërguan në Tars.

31. Ndërkohë, në të gjithë Judenë, Galilenë e Samarinë, kisha kishte paqe dhe përparonte duke jetuar me druajtjen e Zotit e rritej me ngushëllimin e Shpirtit të Shenjtë.

32. Ndërsa Pjetri po përshkonte gjithë krahinat përreth, shkoi edhe te besimtarët e krishterë që jetonin në Lidë.

33. Atje gjeti një njeri me emrin Enea, i cili kishte tetë vjet që dergjej në shtrat, i paralizuar.

34. Atëherë Pjetri i tha: «Enea, Jezu Krishti po të shëron. Ngrihu e rregulloje shtratin!». Ai u ngrit menjëherë.

35. Të gjithë banorët e Lidës e të Sharonit e panë këtë e u kthyen te Zoti.

36. Në Jopë jetonte një grua besimtare me emrin Tabita, që e përkthyer do të thotë Gazelë Ajo bënte shumë vepra të mira e jepte shumë lëmoshë.

37. Ato ditë ajo u sëmur e vdiq. Pasi e lanë me ujë, e vendosën në dhomën e sipërme.

38. Lida ishte afër Jopës dhe dishepujt, kur dëgjuan se Pjetri ishte aty, dërguan tek ai dy burra me këtë lutje: «Eja te ne pa vonesë».

39. Atëherë Pjetri u ngrit e shkoi me ta.Kur arriti, e çuan te dhoma e sipërme. Të gjitha vejushat iu afruan duke qarë e duke i treguar tunikat e rrobat e tjera që kishte bërë Gazela kur kishte qenë gjallë.

40. Pjetri i nxori të gjithë përjashta dhe ra në gjunjë e u lut. Pastaj iu drejtua së vdekurës e tha: «Tabita, ngrihu!». Atëherë ajo hapi sytë, pa Pjetrin dhe u ngrit ndenjur.

41. Pjetri i dha dorën dhe e ngriti në këmbë.Pastaj thirri vëllezërit e krishterë dhe vejushat dhe ua tregoi Tabitën gjallë.

42. E gjithë Jopa e mori vesh këtë gjë e shumë veta besuan në Zotin.

Veprat 9