10. Në Damask gjendej një dishepull me emrin Hanani. Zoti i tha atij në një vegim: «Hanani!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam, o Zot».
11. Zoti i tha: «Ngrihu e shko te rruga që quhet ‘e Drejtë’ dhe kërko te shtëpia e Judës një njeri me emrin Saul, nga Tarsi. Ja, ai po lutet
12. dhe ka parë në vegim një njeri me emrin Hanani duke hyrë në shtëpi e duke i vënë duart mbi të, që t’i kthehet shikimi».
13. Por Hanania u përgjigj: «Zot, kam dëgjuar prej shumë vetave sesa të këqija u ka bërë besimtarëve të tu në Jerusalem ky njeri.
14. Ndërsa këtu ka ardhur i autorizuar nga kryepriftërinjtë për t’u vënë prangat të gjithëve atyre që besojnë në ty».
15. Por Zoti i tha: «Shko, se ai është mjeti që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur emrin tim para kombeve pagane, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit.
16. Unë do t’i tregoj atij sesa shumë i duhet të vuajë për shkak të emrit tim».
17. Atëherë Hanania shkoi në atë shtëpi, vuri duart mbi Saulin dhe i tha: «Vëlla Saul, Zoti Jezu që t’u shfaq rrugës duke ardhur këtu më ka dërguar që të shohësh përsëri e të mbushesh me Shpirtin e Shenjtë».
18. Menjëherë diçka si luspa i ranë nga sytë dhe iu kthye shikimi. Pastaj u ngrit, u pagëzua
19. dhe, pasi hëngri, iu kthye fuqia.Sauli ndenji disa ditë me dishepujt në Damask
20. e menjëherë filloi të predikonte Jezuin nëpër sinagoga e të thoshte se Jezui është Biri i Perëndisë.
21. Të gjithë ata që e dëgjonin, çuditeshin e thoshin: «Po a nuk është ky ai që në Jerusalem përndoqi me dhunë ata që besonin në Jezuin? A nuk erdhi këtu për t’u vënë prangat e për t’i çuar te kryepriftërinjtë?».
22. Sauli forcohej gjithnjë e më shumë e i habiste judenjtë që jetonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezui është Krishti.
23. Pasi kaluan disa ditë, judenjtë i ngritën kurth për ta vrarë,
24. por Sauli e mori vesh kurthin e tyre. Natë e ditë ata i ruanin portat e qytetit që ta vrisnin Saulin.
25. Atëherë dishepujt e tij e morën natën, e nxorën nga e çara e një muri dhe e zbritën me një kosh.
26. Kur arriti në Jerusalem, ai u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë prej tij, sepse nuk besonin që ai ishte dishepull.