2. Disa njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë e varrosën Stefanin dhe e vajtuan shumë.
3. Ndërsa Sauli po e shkatërronte kishën duke hyrë shtëpi më shtëpi. Ai merrte zvarrë burra e gra dhe i fuste në burg.
4. Mirëpo ata që ishin shpërndarë shkonin nga një vend në tjetrin, duke shpallur ungjillin.
5. Filipi zbriti në qytetin e Samarisë e u predikoi atyre Krishtin.
6. Turmat i dëgjonin me vëmendje fjalët e Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin mrekullitë që bënte.
7. Shpirtrat e ndyrë dilnin me britma të mëdha prej shumë njerëzve që ishin të pushtuar prej tyre dhe shumë të paralizuar e të çalë u shëruan.
8. Kështu, në atë qytet u gëzuan shumë.
9. Në atë qytet jetonte prej kohësh një njeri me emrin Simon, i cili bënte magji e i mahniste njerëzit e Samarisë, e thoshte se ishte njeri i madh.
10. Të gjithë e dëgjonin me vëmendje, që nga më të vegjlit deri te më të mëdhenjtë, e thoshin: «Ky njeri është fuqia e madhe e Perëndisë».
11. Dhe e dëgjonin me vëmendje, sepse i kishte mahnitur për një kohë të gjatë me magjitë e tij.
12. Po kur i besuan Filipit, që po shpallte ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, atëherë u pagëzuan burra e gra.
13. Edhe vetë Simoni besoi. Pasi u pagëzua, qëndroi me Filipin e mahnitej kur shikonte mrekullitë e mëdha dhe veprat e fuqishme që ndodhnin.
14. Kur apostujt në Jerusalem dëgjuan se Samaria e kishte pranuar fjalën e Perëndisë, dërguan atje Pjetrin e Gjonin.
15. Këta shkuan dhe u lutën që ata të merrnin Shpirtin e Shenjtë,
16. sepse asnjëri prej tyre nuk e kishte marrë ende Shpirtin e Shenjtë, por vetëm ishin pagëzuar në emrin e Zotit Jezu.
17. Atëherë Pjetri e Gjoni vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin e Shenjtë.
18. Kur pa Simoni se Shpirti i Shenjtë u dhurua përmes vënies së duarve të apostujve, u ofroi atyre para
19. e u tha: «Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që kur të vë duart mbi dikë, të marrë Shpirtin e Shenjtë».
20. Por Pjetri i tha: «U shkatërrofshin paratë e tua e ti bashkë me to, sepse mendove se mund të blesh me para dhuratën e Perëndisë!