15. Këta shkuan dhe u lutën që ata të merrnin Shpirtin e Shenjtë,
16. sepse asnjëri prej tyre nuk e kishte marrë ende Shpirtin e Shenjtë, por vetëm ishin pagëzuar në emrin e Zotit Jezu.
17. Atëherë Pjetri e Gjoni vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin e Shenjtë.
18. Kur pa Simoni se Shpirti i Shenjtë u dhurua përmes vënies së duarve të apostujve, u ofroi atyre para
19. e u tha: «Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që kur të vë duart mbi dikë, të marrë Shpirtin e Shenjtë».
20. Por Pjetri i tha: «U shkatërrofshin paratë e tua e ti bashkë me to, sepse mendove se mund të blesh me para dhuratën e Perëndisë!
21. Ti nuk ke as pjesë e as short në këtë gjë, se nuk e ke zemrën të drejtë para Perëndisë.
22. Pendohu për këtë mbrapshti tënden e lutju Zotit, se ndoshta ta fal atë që kishe në zemër.
23. Në të vërtetë po shoh se je i mbushur me vrer dhe je peng i mëkatit».
24. Atëherë Simoni u përgjigj: «Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga këto që thatë».
25. Pasi dëshmuan dhe predikuan fjalën e Zotit, Pjetri e Gjoni u kthyen në Jerusalem, duke u predikuar ungjillin shumë vendeve të Samarisë.
26. Një engjëll i Zotit i foli Filipit e i tha: «Ngrihu e shko drejt jugut, në rrugën që zbret nga Jerusalemi në Gazë». Ajo është një rrugë e shkretë.
27. Filipi u ngrit e shkoi.Ai pa një eunuk etiopas, zyrtar i lartë i Kandakës, mbretëreshës së etiopasve, kujdestar i tërë thesarit të saj. Ky kishte qenë në Jerusalem për të adhuruar
28. e tani po kthehej, i ulur në karrocën e vet, duke lexuar profetin Isaia.
29. Atëherë Shpirti i Shenjtë i tha Filipit: «Shko e hip në atë karrocë!».