45. Etërit tanë e morën në dorëzim tendën dhe bashkë me Jozueun e mbartën me vete kur pushtuan tokën e paganëve, të cilët Perëndia i dëboi para syve të etërve tanë. Tenda mbeti aty deri në kohën e Davidit,
46. i cili gjeti hir para Perëndisë dhe kërkoi që të gjente një vendbanim për Perëndinë e Jakobit.
47. Por ishte Solomoni ai që ia ndërtoi shtëpinë Perëndisë.
48. Megjithatë, më i larti Perëndi nuk banon në shtëpi të bëra nga duart e njerëzve, sikurse thotë profeti:
49. Qielli është froni im, e toka është shtroja e këmbëve të mia. Çfarë shtëpie do të më ndërtoni, thotë Zoti, ose cili është vendi ku do të gjej pushim?
50. A nuk i ka bërë dora ime të gjitha këto gjëra?
51. Popull kryeneç, me zemër e veshë që nuk e dëgjojnë Perëndinë, edhe ju, sikurse etërit tuaj, vazhdoni t’i kundërviheni Shpirtit të Shenjtë.
52. Cilin prej profetëve nuk përndoqën etërit tuaj? Ata vranë paralajmëruesit e ardhjes së të Drejtit, ndërsa tani ju jeni bërë tradhtarët dhe vrasësit e tij.
53. Ju jeni ata që morën ligjin e Moisiut, sikurse urdhëruan engjëjt, por nuk e zbatuat».
54. Kur dëgjuan këto gjëra, ata u zemëruan e kërcëlluan dhëmbët kundër Stefanit.
55. Por Stefani, i mbushur me Shpirtin e Shenjtë, ngriti sytë drejt qiellit e pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezuin që qëndronte në të djathtën e Perëndisë.
56. Atëherë tha: «Ja, po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë!».
57. Por ata mbyllën veshët dhe me një britmë të madhe u lëshuan kundër tij.
58. Pastaj e zvarritën jashtë qytetit dhe e goditën me gurë. Dëshmitarët i vendosën rrobat te këmbët e një të riu që quhej Saul.
59. Ndërsa këta e godisnin me gurë, Stefani lutej: «O Zot Jezu, pranoje shpirtin tim!».
60. Pastaj ra në gjunjë dhe thirri me zë të lartë: «O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat». Pasi tha këto, vdiq.