42. Por Perëndia u largua prej tyre e i la të adhurojnë yjet e qiellit, siç është shkruar në librin e profetëve: A më kushtove kafshë të therura e flijime dyzet vjet në shkretëtirë, o shtëpia e Izraelit?
43. Ju morët me vete tendën e Molokut dhe yllin e perëndisë suaj Refan , shëmbëllimet që i bëtë vetë për t’i adhuruar, prandaj do t’ju shpërngul përtej Babilonisë.
44. Në shkretëtirë etërit tanë kishin tendën e dëshmisë, sikurse Perëndia e kishte udhëzuar Moisiun kur i foli dhe e urdhëroi ta bënte sipas modelit që kishte parë.
45. Etërit tanë e morën në dorëzim tendën dhe bashkë me Jozueun e mbartën me vete kur pushtuan tokën e paganëve, të cilët Perëndia i dëboi para syve të etërve tanë. Tenda mbeti aty deri në kohën e Davidit,
46. i cili gjeti hir para Perëndisë dhe kërkoi që të gjente një vendbanim për Perëndinë e Jakobit.
47. Por ishte Solomoni ai që ia ndërtoi shtëpinë Perëndisë.
48. Megjithatë, më i larti Perëndi nuk banon në shtëpi të bëra nga duart e njerëzve, sikurse thotë profeti:
49. Qielli është froni im, e toka është shtroja e këmbëve të mia. Çfarë shtëpie do të më ndërtoni, thotë Zoti, ose cili është vendi ku do të gjej pushim?
50. A nuk i ka bërë dora ime të gjitha këto gjëra?
51. Popull kryeneç, me zemër e veshë që nuk e dëgjojnë Perëndinë, edhe ju, sikurse etërit tuaj, vazhdoni t’i kundërviheni Shpirtit të Shenjtë.
52. Cilin prej profetëve nuk përndoqën etërit tuaj? Ata vranë paralajmëruesit e ardhjes së të Drejtit, ndërsa tani ju jeni bërë tradhtarët dhe vrasësit e tij.