38. Kur populli ishte mbledhur në shkretëtirë, i njëjti Moisi u bë ndërmjetësi mes engjëllit që i fliste në Malin e Sinait dhe etërve tanë. Ai i mori fjalët e jetës për të na i dhënë neve.
39. Etërit tanë nuk deshën t’i bindeshin atij, madje iu shmangën e me zemrat e tyre u kthyen në Egjipt.
40. Ata i thanë Aaronit: Na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit nuk dimë gjë se ç’u bë me të.
41. Po ato ditë ata bënë një viç si idhull, i kushtuan një fli e u kënaqën me veprat e duarve të tyre.
42. Por Perëndia u largua prej tyre e i la të adhurojnë yjet e qiellit, siç është shkruar në librin e profetëve: A më kushtove kafshë të therura e flijime dyzet vjet në shkretëtirë, o shtëpia e Izraelit?
43. Ju morët me vete tendën e Molokut dhe yllin e perëndisë suaj Refan , shëmbëllimet që i bëtë vetë për t’i adhuruar, prandaj do t’ju shpërngul përtej Babilonisë.
44. Në shkretëtirë etërit tanë kishin tendën e dëshmisë, sikurse Perëndia e kishte udhëzuar Moisiun kur i foli dhe e urdhëroi ta bënte sipas modelit që kishte parë.
45. Etërit tanë e morën në dorëzim tendën dhe bashkë me Jozueun e mbartën me vete kur pushtuan tokën e paganëve, të cilët Perëndia i dëboi para syve të etërve tanë. Tenda mbeti aty deri në kohën e Davidit,
46. i cili gjeti hir para Perëndisë dhe kërkoi që të gjente një vendbanim për Perëndinë e Jakobit.
47. Por ishte Solomoni ai që ia ndërtoi shtëpinë Perëndisë.
48. Megjithatë, më i larti Perëndi nuk banon në shtëpi të bëra nga duart e njerëzve, sikurse thotë profeti:
49. Qielli është froni im, e toka është shtroja e këmbëve të mia. Çfarë shtëpie do të më ndërtoni, thotë Zoti, ose cili është vendi ku do të gjej pushim?
50. A nuk i ka bërë dora ime të gjitha këto gjëra?