Veprat 7:24-36 Së Bashku (ALNT)

24. Aty pa dikë të cilit po i bënin padrejtësi. Ai e mbrojti të shtypurin dhe mori shpagim duke vrarë egjiptianin.

25. Moisiu mendonte se vëllezërit e vet do ta kuptonin se Perëndia po i shpëtonte me anë të tij, por ata nuk e kuptuan.

26. Të nesërmen shkoi te disa izraelitë që po grindeshin e u përpoq t’i pajtonte duke u thënë: “Burra, ju jeni vëllezër. Pse i bëni padrejtësi njëri-tjetrit?”.

27. Por ai që po i bënte padrejtësi tjetrit, e shtyu Moisiun e i tha: Kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne?

28. A do të më vrasësh edhe mua, sikurse vrave dje egjiptianin?

29. Kur dëgjoi këtë, Moisiu u largua e jetoi si i huaj në dheun e Madianit, ku i lindën dy bij.

30. Pasi kaluan dyzet vjet, Moisiut iu shfaq një engjëll në shkretëtirën e Malit të Sinait, në flakën e një shkurreje që po digjej.

31. Kur e pa, Moisiu u çudit me këtë pamje. Ndërsa po afrohej për të parë më mirë, zëri i Zotit tha:

32. Unë jam Perëndia i etërve të tu, Perëndia i Abrahamit, Isakut e Jakobit. Moisiu filloi të dridhej e nuk guxonte të shikonte.

33. Atëherë Zoti i tha: Hiqi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po shkel, është tokë e shenjtë.

34. E kam parë mirë dhunën që i bëhet popullit tim në Egjipt, e kam dëgjuar rënkimin e tyre dhe kam zbritur për t’i çliruar. Tani eja të të dërgoj në Egjipt.

35. Ky ishte i njëjti Moisi që ata nuk e kishin pranuar kur i thanë: Kush të caktoi ty prijës e gjykatës? Tani Perëndia e dërgoi atë si prijës dhe si shpengues përmes engjëllit që iu shfaq në shkurre.

36. Ky i nxori nga Egjipti dhe bëri mrekulli e shenja në tokën e Egjiptit, në Detin e Kuq e në shkretëtirë për dyzet vjet.

Veprat 7