Veprat 7:15-23 Së Bashku (ALNT)

15. Kështu Jakobi shkoi në Egjipt. Ai dhe etërit tanë vdiqën,

16. dhe trupat e tyre i sollën në Sikem, ku u varrosën në varrin që Abrahami ua kishte blerë me një shumë argjendi bijve të Hemorit në Sikem.

17. Ndërsa po afrohej koha e përmbushjes së premtimit që Perëndia i kishte dhënë Abrahamit, populli ynë u rrit e u shumua në Egjipt,

18. derisa në Egjipt u bë mbret dikush tjetër, që nuk e njihte Jozefin.

19. Ai u soll dinakërisht me kombin tonë e i detyroi etërit tanë t’i braktisnin fëmijët në mëshirë të fatit, që të mos mbeteshin gjallë.

20. Në këtë kohë u lind Moisiu, që ishte i bukur në sytë e Perëndisë. Ai u rrit në shtëpinë e të atit për tre muaj

21. dhe kur e braktisën, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si të ishte biri i saj.

22. Kështu Moisiu u edukua me tërë dijen e egjiptianëve dhe ishte i fuqishëm në fjalë e në vepra.

23. Kur mbushi dyzet vjeç, i lindi në zemër dëshira të shkonte të shihte vëllezërit e vet, bijtë e Izraelit.

Veprat 7