13. Herën e dytë, Jozefi u dha të njohur vëllezërve të vet dhe kështu faraoni u njoh me familjen e Jozefit.
14. Atëherë Jozefi dërgoi dikë që të thërriste atin e tij Jakobin e të gjithë farefisin, që ishin shtatëdhjetë e pesë veta.
15. Kështu Jakobi shkoi në Egjipt. Ai dhe etërit tanë vdiqën,
16. dhe trupat e tyre i sollën në Sikem, ku u varrosën në varrin që Abrahami ua kishte blerë me një shumë argjendi bijve të Hemorit në Sikem.
17. Ndërsa po afrohej koha e përmbushjes së premtimit që Perëndia i kishte dhënë Abrahamit, populli ynë u rrit e u shumua në Egjipt,
18. derisa në Egjipt u bë mbret dikush tjetër, që nuk e njihte Jozefin.
19. Ai u soll dinakërisht me kombin tonë e i detyroi etërit tanë t’i braktisnin fëmijët në mëshirë të fatit, që të mos mbeteshin gjallë.
20. Në këtë kohë u lind Moisiu, që ishte i bukur në sytë e Perëndisë. Ai u rrit në shtëpinë e të atit për tre muaj
21. dhe kur e braktisën, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si të ishte biri i saj.
22. Kështu Moisiu u edukua me tërë dijen e egjiptianëve dhe ishte i fuqishëm në fjalë e në vepra.
23. Kur mbushi dyzet vjeç, i lindi në zemër dëshira të shkonte të shihte vëllezërit e vet, bijtë e Izraelit.
24. Aty pa dikë të cilit po i bënin padrejtësi. Ai e mbrojti të shtypurin dhe mori shpagim duke vrarë egjiptianin.
25. Moisiu mendonte se vëllezërit e vet do ta kuptonin se Perëndia po i shpëtonte me anë të tij, por ata nuk e kuptuan.
26. Të nesërmen shkoi te disa izraelitë që po grindeshin e u përpoq t’i pajtonte duke u thënë: “Burra, ju jeni vëllezër. Pse i bëni padrejtësi njëri-tjetrit?”.
27. Por ai që po i bënte padrejtësi tjetrit, e shtyu Moisiun e i tha: Kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne?
28. A do të më vrasësh edhe mua, sikurse vrave dje egjiptianin?
29. Kur dëgjoi këtë, Moisiu u largua e jetoi si i huaj në dheun e Madianit, ku i lindën dy bij.
30. Pasi kaluan dyzet vjet, Moisiut iu shfaq një engjëll në shkretëtirën e Malit të Sinait, në flakën e një shkurreje që po digjej.