1. Atëherë kryeprifti e pyeti Stefanin: «A janë të vërteta këto gjëra?».
2. Stefani tha:«Vëllezër dhe etër, më dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq atit tonë Abrahamit kur ky ishte në Mesopotami, para se të banonte në Haran,
3. e i tha: Dil nga toka jote e nga fisi yt dhe shko në tokën që unë do të të tregoj.
4. Atëherë ai doli nga toka e kaldenjve dhe banoi në Haran.Pasi i vdiq i ati, Perëndia e shpërnguli që andej dhe e solli në këtë tokë, ku tani banoni ju.
5. Atje nuk i dha në trashëgimi asnjë këmbë tokë, por i premtoi se do t’ia jepte në pronë atij e pasardhësve të tij, edhe pse Abrahami nuk kishte ende fëmijë.
6. Perëndia i tha se pasardhësit e tij do të jetonin si të huaj në dhè të huaj, e atje do t’i skllavëronin e do t’i keqtrajtonin për katërqind vjet.
7. Por unë do ta gjykoj kombin të cilit ata do t’i shërbejnë, tha Perëndia, e pastaj ata do të dalin prej andej e do të më adhurojnë në këtë vend.
8. Pastaj bëri me Abrahamin besëlidhjen e rrethprerjes. Kështu Abrahamit i lindi Isaku dhe e rrethpreu ditën e tetë. Isakut i lindi Jakobi e Jakobit dymbëdhjetë patriarkët.
9. Patriarkët e kishin smirë Jozefin dhe e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të.
10. Ai e çliroi nga të gjitha vuajtjet dhe i dha hir e urti përballë faraonit, mbretit të Egjiptit, që e caktoi Jozefin epror të Egjiptit e të gjithë shtëpisë së vet.
11. Pastaj, në të gjithë Egjiptin e Kanaanin ra një zi buke. Mjerimi ishte aq i madh saqë etërit tanë nuk gjenin asgjë për të ngrënë.