20. «Shkoni, hyni në tempull e ia shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete të re».
21. Kur dëgjuan këtë gjë, ata hynë në tempull në agim e filluan të mësonin njerëzit.Kur arriti kryeprifti dhe ata që ishin me të, mblodhi sinedrin e tërë pleqësinë e bijve të Izraelit dhe dërguan disa roja që të sillnin apostujt nga burgu.
22. Po kur rojat arritën në burg, nuk i gjetën apostujt atje. Atëherë u kthyen dhe njoftuan:
23. «Ne e gjetëm burgun të mbyllur e të siguruar mirë dhe rojat e tij duke qëndruar në këmbë te dyert. Po kur i hapëm dyert nuk gjetëm askënd brenda».
24. Kur kryeroja i tempullit dhe kryeprifti i dëgjuan këto fjalë, u hutuan prej tyre dhe vrisnin mendjen se çfarë po ndodhte.
25. Pastaj erdhi dikush e u tha: «Shikoni, njerëzit që kishit burgosur janë në tempull e po mësojnë popullin».
26. Atëherë kryeroja bashkë me rojat shkuan dhe i morën pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë.
27. Ata i sollën apostujt para sinedrit dhe kryeprifti i pyeti:
28. «A nuk ju kemi urdhëruar që të mos u mësoni njerëzve për Jezuin? Ja, pra, ju e keni mbushur Jerusalemin me mësimin tuaj e doni të rëndojë mbi ne gjaku i këtij njeriu».
29. Pjetri e apostujt u përgjigjën:«Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.
30. Perëndia i etërve tanë e ngjalli Jezuin, të cilin ju e vratë duke e varur në drurin e kryqit.
31. Perëndia e lartësoi Jezuin në të djathtën e vet, si Prijës e Shpëtimtar, për t’i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve.
32. Dhe ne jemi dëshmitarët e këtyre gjërave, bashkë me Shpirtin e Shenjtë, që Perëndia ua ka dhuruar atyre që i binden atij».
33. Kur dëgjuan këto fjalë, ata u zemëruan e donin t’i vrisnin.
34. Por një farise i sinedrit me emrin Gamaliel, një mësues i ligjit të Moisiut, që gëzonte respektin e të gjithë popullit, u ngrit dhe urdhëroi që t’i nxirrnin apostujt jashtë për pak kohë.
35. Pastaj u tha atyre:«Burra izraelitë, kini kujdes se çfarë keni ndër mend të bëni me këta njerëz.
36. Para pak kohësh na doli Teuda e na thoshte se ishte dikushi dhe rreth tij u mblodhën gati katërqind burra. Por ai u vra e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë e u zhdukën.
37. Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, na doli Judë galileasi e njerëzit i shkuan pas. Edhe ai vdiq e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë.