Veprat 5:17-31 Së Bashku (ALNT)

17. Atëherë kryeprifti e të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, u mbushën me smirë

18. dhe i kapën apostujt e i futën në burg.

19. Por gjatë natës një engjëll i Zotit hapi dyert e burgut, i nxori prej andej e u tha:

20. «Shkoni, hyni në tempull e ia shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete të re».

21. Kur dëgjuan këtë gjë, ata hynë në tempull në agim e filluan të mësonin njerëzit.Kur arriti kryeprifti dhe ata që ishin me të, mblodhi sinedrin e tërë pleqësinë e bijve të Izraelit dhe dërguan disa roja që të sillnin apostujt nga burgu.

22. Po kur rojat arritën në burg, nuk i gjetën apostujt atje. Atëherë u kthyen dhe njoftuan:

23. «Ne e gjetëm burgun të mbyllur e të siguruar mirë dhe rojat e tij duke qëndruar në këmbë te dyert. Po kur i hapëm dyert nuk gjetëm askënd brenda».

24. Kur kryeroja i tempullit dhe kryeprifti i dëgjuan këto fjalë, u hutuan prej tyre dhe vrisnin mendjen se çfarë po ndodhte.

25. Pastaj erdhi dikush e u tha: «Shikoni, njerëzit që kishit burgosur janë në tempull e po mësojnë popullin».

26. Atëherë kryeroja bashkë me rojat shkuan dhe i morën pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë.

27. Ata i sollën apostujt para sinedrit dhe kryeprifti i pyeti:

28. «A nuk ju kemi urdhëruar që të mos u mësoni njerëzve për Jezuin? Ja, pra, ju e keni mbushur Jerusalemin me mësimin tuaj e doni të rëndojë mbi ne gjaku i këtij njeriu».

29. Pjetri e apostujt u përgjigjën:«Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.

30. Perëndia i etërve tanë e ngjalli Jezuin, të cilin ju e vratë duke e varur në drurin e kryqit.

31. Perëndia e lartësoi Jezuin në të djathtën e vet, si Prijës e Shpëtimtar, për t’i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve.

Veprat 5