11. Të gjithë kishën e të gjithë ata që dëgjuan këto i zuri një frikë e madhe.
12. Në popull bëheshin shumë mrekulli e shenja përmes duarve të apostujve. Të gjithë mblidheshin bashkë te Portiku i Solomonit.
13. Askush prej të tjerëve nuk guxonte të bashkohej me ta, ndërsa populli i nderonte.
14. Kështu numri i burrave dhe i grave që besonin në Zotin rritej gjithnjë e më shumë.
15. Të sëmurët i nxirrnin nëpër sheshe e i vendosnin nëpër shtroja e vigje, që kur të kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të binte mbi ndonjë prej tyre.
16. Në Jerusalem u mblodh një numër i madh njerëzish nga qytetet përreth. Ata sollën të sëmurët e ata që mundoheshin nga shpirtrat e ndyrë dhe të gjithë u shëruan.
17. Atëherë kryeprifti e të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, u mbushën me smirë
18. dhe i kapën apostujt e i futën në burg.
19. Por gjatë natës një engjëll i Zotit hapi dyert e burgut, i nxori prej andej e u tha:
20. «Shkoni, hyni në tempull e ia shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete të re».
21. Kur dëgjuan këtë gjë, ata hynë në tempull në agim e filluan të mësonin njerëzit.Kur arriti kryeprifti dhe ata që ishin me të, mblodhi sinedrin e tërë pleqësinë e bijve të Izraelit dhe dërguan disa roja që të sillnin apostujt nga burgu.
22. Po kur rojat arritën në burg, nuk i gjetën apostujt atje. Atëherë u kthyen dhe njoftuan:
23. «Ne e gjetëm burgun të mbyllur e të siguruar mirë dhe rojat e tij duke qëndruar në këmbë te dyert. Po kur i hapëm dyert nuk gjetëm askënd brenda».
24. Kur kryeroja i tempullit dhe kryeprifti i dëgjuan këto fjalë, u hutuan prej tyre dhe vrisnin mendjen se çfarë po ndodhte.
25. Pastaj erdhi dikush e u tha: «Shikoni, njerëzit që kishit burgosur janë në tempull e po mësojnë popullin».
26. Atëherë kryeroja bashkë me rojat shkuan dhe i morën pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë.