17. Por, që kjo gjë të mos përhapet më shumë në popull, t’i kërcënojmë që të mos i flasin më njerëzve në emër të Jezuit».
18. Atëherë i thirrën dhe i urdhëruan që të mos flisnin e të mos mësonin kurrsesi njerëzit në emër të Jezuit.
19. Por Pjetri e Gjoni u përgjigjën: «Gjykojeni vetë nëse është e drejtë para Perëndisë t’ju dëgjojmë ju apo Perëndinë?
20. Ne nuk mund të rrimë pa folur për ato që kemi parë e dëgjuar».
21. Ata, pasi nuk gjetën arsye për t’i dënuar, i kërcënuan dhe i lanë të lirë për shkak të popullit, sepse të gjithë e përlëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur.
22. Njeriu që ishte shëruar përmes kësaj mrekullie ishte mbi dyzet vjeç.
23. Pasi u lanë të lirë, Pjetri e Gjoni shkuan te të tjerët e u treguan gjithçka që u kishin thënë kryepriftërinjtë e pleqtë.
24. Kur dëgjuan këtë gjë, ata iu lutën Perëndisë të gjithë bashkë dhe thanë:«O Zot, ti që ke bërë qiellin, tokën, detin e të gjitha gjërat që janë në to,
25. ti i ke thënë paraardhësit tonë Davidit, shërbëtorit tënd, përmes Shpirtit të Shenjtë: Përse u zemëruan kombet pagane e popujt thurin plane të kota?
26. Mbretërit e tokës janë përgatitur e princat janë mbledhur së bashku kundër Zotit e kundër Krishtit të tij.
27. Në këtë qytet, në të vërtetë, janë mbledhur së bashku Herodi e Ponc Pilati bashkë me kombet pagane dhe popullin e Izraelit kundër Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë, të cilin ti e vajose si Krisht,
28. që të bënte ato që dora jote e vullneti yt kishte paracaktuar të ndodhnin.