Veprat 4:10-17 Së Bashku (ALNT)

10. Dijeni, pra, të gjithë ju e mbarë populli i Izraelit se ky njeri që po qëndron para jush, është shëruar në emrin e Jezu Krishtit të Nazaretit, të cilin ju e kryqëzuat e Perëndia e ngjalli prej të vdekurve.

11. Jezui është guri që ju ndërtuesit e hodhët tej e që u bë guri i qoshes.

12. Shpëtimi nuk vjen nga askush tjetër dhe njerëzve nuk u është dhënë asnjë emër tjetër nën qiell, përmes të cilit do të mund të shpëtoheshim».

13. Kur panë guximin e Pjetrit e të Gjonit, e kur u kujtuan se këta ishin njerëz pa shkollë e të thjeshtë, ata u habitën, sepse i njihnin dhe e dinin se kishin qenë me Jezuin.

14. Pastaj panë se njeriu që ishte shëruar po rrinte me ta, por nuk kishin çfarë të thoshin.

15. Megjithatë, i urdhëruan të dilnin nga sinedri e filluan të këshilloheshin me njëri-tjetrin

16. e të thoshin: «Ç’të bëjmë me këta njerëz? Të gjithë banorët e Jerusalemit e dinë mirë se përmes tyre është bërë një mrekulli që duket qartë dhe ne nuk mund ta mohojmë.

17. Por, që kjo gjë të mos përhapet më shumë në popull, t’i kërcënojmë që të mos i flasin më njerëzve në emër të Jezuit».

Veprat 4