10. Ata e njohën se ishte ai që rrinte ulur te ‘Dera e Bukur’ e tempullit për të lypur lëmoshë dhe mbetën të habitur e të mahnitur nga ajo që i kishte ndodhur të çalit.
11. Meqë ai ishte kapur pas Pjetrit e Gjonit, i gjithë populli, i mrekulluar, u mblodh pranë tyre nën atë që quhet «Portiku i Solomonit».
12. Kur i pa, Pjetri iu drejtua popullit kështu:«Burra izraelitë, pse çuditeni për këtë gjë? Pse na shihni sikur ta kishim bërë të ecte me fuqinë a me përkushtimin tonë ndaj Zotit?
13. Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit, Perëndia i etërve tanë, e përlëvdoi Jezuin, Birin e vet, të cilin ju e dorëzuat dhe e mohuat para Pilatit, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte.
14. Ju mohuat të Shenjtin e të Drejtin dhe kërkuat të falej vrasësi.
15. Ju vratë Jetëdhënësin, të cilin Perëndia e ngjalli prej të vdekurve e për këtë ne jemi dëshmitarë.
16. Ju e njihni këtë të çalë që shihni. Ai besoi në emër të Jezuit dhe kjo e forcoi. Besimi që vjen prej Jezuit i dha atij këtë shërim të plotë para jush të gjithëve.
17. E tani, vëllezër, e di se keni vepruar nga padija, sikurse bënë edhe krerët tuaj.
18. Perëndia përmbushi kështu atë që kishte paralajmëruar ai vetë përmes gjithë profetëve, se Krishti do të vuante.
19. Prandaj pendohuni e kthehuni që t’ju shlyhen mëkatet,
20. që të vijë koha kur Zoti do t’ju përtërijë me praninë e tij, duke ju dërguar Krishtin Jezu që e kishte caktuar për ju që më parë.
21. Ai duhet të rrijë në qiell deri në kohën e ripërtëritjes së të gjitha gjërave, siç e ka lajmëruar Perëndia përmes profetëve të tij të shenjtë, që prej shumë kohësh.