Veprat 27:14-22 Së Bashku (ALNT)

14. Por nuk kaloi shumë kohë dhe mbi ishull filloi një erë e vrullshme verilindore që quhet Eurakilon.

15. Ajo e rrëmbeu anijen dhe ishte e pamundur të lundronim kundër erës. Nuk kishim ç’të bënim dhe e lamë erën të na hidhte sa andej-këtej.

16. Kur po kalonim poshtë një ishulli të vogël që quhet Kauda, me shumë vështirësi arritëm të kapnim varkën e shpëtimit.

17. Pasi e ngritën lart varkën e shpëtimit, përdorën litarë për ta lidhur anijen e për ta bërë më të fortë. Nga frika se mos ngecnin në rërë pranë Sirtit, hodhën spirancën pluskuese dhe e lanë anijen ta merrte era.

18. Meqenëse stuhia po na përplaste furishëm sa andej-këtej, të nesërmen hodhën në det ngarkesën,

19. ndërsa ditën e tretë hodhën në det me duart e tyre gjithë pajisjet e anijes.

20. Për shumë ditë nuk pamë as diell, e as yje. Stuhia sa vinte e bëhej më e fortë dhe kështu na humbi çdo shpresë shpëtimi.

21. Pasi nuk kishin ngrënë për shumë kohë, Pali u ngrit e tha:«Burra, duhej të më kishit dëgjuar dhe të mos ishim nisur nga Kreta. Kështu do ta kishim shmangur këtë rrezik e këtë dëm.

22. Tani ju këshilloj që të mos ju lëshojë zemra, sepse asnjëri prej jush nuk do ta humbë jetën, por anija do të shkatërrohet.

Veprat 27