1. Kur u vendos të lundronim për në Itali, Palin dhe disa të burgosur të tjerë i çuan te një njeri me emrin Jul, centurion i kohortës perandorake.
2. Ne hipëm në një anije nga Adramiti, që do të kalonte nga portet përgjatë brigjeve të Azisë dhe u nisëm. Me ne ishte edhe Aristarku, një maqedonas nga Selaniku.
3. Të nesërmen mbërritëm në Sidon. Juli u soll me dashamirësi me Palin dhe e lejoi të shkonte te miqtë e vet, që ata të kujdeseshin për të.
4. Prej aty u nisëm e lundruam përgjatë Qipros, se e kishim erën kundër.
5. Pasi kaluam detin gjatë brigjeve të Kilikisë dhe të Pamfilisë, arritëm në Mirë të Likisë.
6. Aty centurioni gjeti një anije nga Aleksandria, që shkonte për në Itali dhe na hipi në atë anije.
7. Për disa ditë lundruam ngadalë dhe me vështirësi arritëm përballë Knidit. Meqë kishim erën kundër, lundruam poshtë Kretës, përbri Salmonit.
8. Lundruam me shumë vështirësi përgjatë bregut dhe arritëm në një vend që quhej ‘Portet e Mira’, pranë qytetit të Laseas.
9. Kishte kaluar shumë kohë dhe lundrimi ishte bërë i rrezikshëm, sepse kishte kaluar edhe koha e agjërimit të vjeshtës. Atëherë Pali i këshilloi
10. e u tha: «Burra, unë mendoj se lundrimi do të jetë i rrezikshëm e do të humbasim jo vetëm ngarkesën dhe anijen, por edhe jetët tona».
11. Por centurioni dëgjoi timonierin dhe të zotin e anijes dhe nuk ua vuri veshin fjalëve të Palit.
12. Meqë ai port nuk ishte i përshtatshëm për të dimëruar, shumica ishte e mendimit të largoheshin prej aty dhe mundësisht të arrinin në Fenikë, ku do të kalonin dimrin. Ky ishte një port i Kretës që shihte nga jugperëndimi dhe veriperëndimi.
13. Kur filloi të frynte një erë e lehtë, ata menduan se do t’ia arrinin qëllimit. Kështu ngritën spirancat dhe lundruan afër brigjeve të Kretës.
14. Por nuk kaloi shumë kohë dhe mbi ishull filloi një erë e vrullshme verilindore që quhet Eurakilon.