19. «Pas kësaj, o mbret Agripë, unë nuk mund të tregohesha i pabindur ndaj vegimit qiellor,
20. por fillova të predikoj së pari në Damask e në Jerusalem, dhe pastaj në mbarë krahinën e Judesë, si edhe te kombet pagane, se ata duhet të pendohen e të kthehen te Perëndia dhe se duhet të bëjnë vepra që tregojnë se janë penduar.
21. Për këtë arsye judenjtë më kapën në tempull dhe u orvatën të më vrisnin.
22. Deri më sot më ka ndihmuar Perëndia dhe unë jam këtu për t’i dhënë dëshmi të madhit e të voglit. Unë nuk them asgjë tjetër, përveç atyre që thanë profetët dhe Moisiu se do të ndodhnin:
23. se Krishti do të vuante, do të ngjallej i pari prej të vdekurve e do t’u bënte të njohur dritën edhe popullit tonë, edhe kombeve pagane».
24. Ndërsa Pali po thoshte këto fjalë në mbrojtje të vetes, Festi tha me zë të lartë: «Ke lajthitur, Pal! Po çmendesh nga të mësuarit e tepërt».
25. Por Pali tha: «Nuk kam lajthitur, o i madhërishmi Fest, por po them fjalë të vërteta dhe të arsyeshme.
26. Mbreti i njeh mirë këto gjëra, prandaj unë flas hapur me të. Jam i sigurt se asnjë nga këto gjëra nuk është e panjohur për të, sepse këto nuk kanë ndodhur në fshehtësi.
27. O mbret Agripë, a u beson profetëve? Unë e di se ti u beson».
28. Agripa i tha Palit: «Për pak edhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë».
29. Pali u përgjigj: «Unë i lutem Perëndisë që herët a vonë jo vetëm ti, por edhe që të gjithë ata që po më dëgjojnë sot të bëhen si unë, përveç këtyre prangave!».