20. Ai iu përgjigj: «Judenjtë janë bërë në një mendje që të të kërkojnë ta çosh Palin nesër në sinedër, gjoja për ta hetuar më imtësisht.
21. Ti mos i dëgjo, sepse më shumë se dyzet burra prej tyre i kanë zënë pritë. Ata janë betuar se nuk do të hanë e as nuk do të pinë pa e vrarë atë. Tani ata janë gati dhe po presin vendimin tënd».
22. Atëherë komandanti i kohortës e nisi djaloshin dhe i tha: «Mos i trego askujt se më ke njoftuar!».
23. Atëherë ai thirri dy nga centurionët dhe u tha: «Përgatituni për t’u nisur rreth orës nëntë për në Cezare me dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shigjetarë.
24. Bëni gati një kalë edhe për Palin, që të shkojë shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks!».
25. Pastaj shkroi këtë letër:
26. «Klaud Lisia për madhërinë e tij qeveritarin Feliks, përshëndetje!
27. Ky njeri është kapur nga judenjtë që donin ta vrisnin, por pasi mësova se është qytetar romak, e shpëtova nga duart e tyre me anë të ushtarëve.
28. Unë doja të dija shkakun për të cilin e kishin paditur dhe prandaj e çova para sinedrit të tyre.
29. Aty mora vesh se e kishin paditur për disa çështje lidhur me ligjin e tyre, por nuk kishte bërë asgjë që të meritonte vdekjen ose prangat.
30. Kur më njoftuan se judenjtë i kishin ngritur një kurth, e dërgova menjëherë te ti dhe i urdhërova paditësit e tij që të flasin me ty për të».