Veprat 18:13-28 Së Bashku (ALNT)

13. dhe thanë: «Ky njeri po kërkon t’i bindë njerëzit ta adhurojnë Perëndinë në kundërshim me ligjin e Moisiut».

14. Sapo Pali deshi të fliste, Galioni u tha judenjve: «Po të bëhej fjalë për ndonjë krim apo faj të rëndë, o judenj, do të kisha arsye për ta pranuar ankesën tuaj.

15. Por, meqë bëhet fjalë për diskutime lidhur me emra dhe me ligjin tuaj, shikojeni vetë këtë punë. Unë nuk dua të bëhem gjykatës për këto gjëra».

16. Pastaj i largoi nga gjykata.

17. Atëherë të gjithë kapën Sostenin, kreun e sinagogës, dhe e rrahën para gjykatës, ndërsa Galioni nuk donte t’ia dinte fare për këto gjëra.

18. Pali, pasi ndenji për një farë kohe në atë vend, u përshëndet me vëllezërit besimtarë dhe lundroi për në Siri, bashkë me Priskilën e Akuilin. Në Kenkrea ai preu flokët, sepse kishte bërë një betim.

19. Kur arritën në Efes, i la ata aty, ndërsa vetë hyri në sinagogë dhe diskutoi me judenjtë.

20. Ata i kërkuan që të rrinte më gjatë, por Pali nuk pranoi.

21. Megjithatë, kur po ndahej prej tyre, u tha: «Në dashtë Perëndia, do të kthehem përsëri te ju». Pastaj u largua nga Efesi me anije.

22. Kur arriti në Cezare, shkoi në Jerusalem, përshëndeti kishën dhe pastaj shkoi në Antioki.

23. Ndenji aty për një farë kohe dhe u nis e shkoi nga një vend në tjetrin nëpër krahinën e Galatisë e të Frigjisë, duke u dhënë zemër të gjithë dishepujve.

24. Në Efes kishte ardhur një jude me emrin Apol, i lindur në Aleksandri. Ai ishte gojëtar i mirë dhe i njihte mirë Shkrimet e shenjta.

25. Kishte mësuar për udhën e Zotit dhe me zell në shpirt, predikonte dhe i mësonte njerëzit me përpikëri për Jezuin, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit.

26. Ai filloi të fliste hapur në sinagogë, po kur Priskila dhe Akuili e dëgjuan, e morën mënjanë dhe ia shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë.

27. Meqë dëshironte të shkonte në Akai, besimtarët i dhanë zemër dhe u shkruan dishepujve që ta pranonin. Kur arriti atje, ai i ndihmoi me anë të hirit që i kishte dhënë Perëndia të gjithë ata që kishin besuar,

28. sepse i kundërshtonte me forcë judenjtë dhe u provonte hapur, përmes Shkrimeve të shenjta, se Jezui është Krishti.

Veprat 18