1. Sila e Pali, pasi kaluan nëpër Amfipojë e Apoloni, arritën në Selanik, ku gjendej një sinagogë e judenjve.
2. Pali hyri brenda, sikurse e kishte zakon, dhe për tri të shtuna duke u bazuar në Shkrimet e shenjta,
3. u shpjegonte e u provonte se Krishti duhej të vuante e të ngjallej prej të vdekurve. Ai u tha: «Ky Krisht të cilin po jua shpall juve, është Jezui».
4. Disa prej tyre u bindën dhe shkuan pas Palit e Silës, sikurse edhe shumë grekë që ishin kthyer në besimin e judenjve dhe disa gra nga shtresat e larta.
5. Por judenjtë të nxitur nga smira, mblodhën disa njerëz të mbrapshtë nga ata që endeshin nëpër treg dhe pasi u bënë turmë, shkaktuan trazira në qytet. Ata sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe po kërkonin të gjenin Palin e Silën për t’i nxjerrë para popullit.
6. Pasi nuk i gjetën, e tërhoqën zvarrë Jasonin bashkë me disa vëllezër besimtarë dhe i nxorën para krerëve të qytetit duke bërtitur: «Ata që kanë bërë rrëmujë gjithë botën kanë ardhur edhe këtu
7. e Jasoni i ka strehuar. Të gjithë këta veprojnë në kundërshtim me urdhrat e Cezarit e thonë se mbret na qenka tjetërkush, Jezui».
8. Kështu, me këto fjalë, i acaruan turmën dhe krerët e qytetit që po dëgjonin.
9. Krerët, pasi morën prej Jasonit e të tjerëve para si dorëzani, i lanë të shkonin.
10. Atë natë vëllezërit besimtarë i nisën Palin e Silën në Berea. Kur arritën atje, shkuan në sinagogën e judenjve.
11. Këta judenj ishin më fisnikë se ata të Selanikut dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe. Çdo ditë shqyrtonin Shkrimin e Shenjtë për të parë nëse këto gjëra ishin kështu.
12. Prandaj shumë prej tyre besuan bashkë me disa gra greke fisnike si dhe shumë burra.
13. Po kur judenjtë e Selanikut morën vesh se Pali e kishte predikuar fjalën e Perëndisë edhe në Berea, erdhën deri aty që të nxisnin turmat e të bënin rrëmujë.
14. Atëherë vëllezërit besimtarë e nisën Palin në drejtim të detit, ndërsa Sila e Timoteu mbetën aty.