23. Si i rrahën mirë e mirë, i futën në burg dhe e urdhëruan rojën e burgut t’i ruante me kujdes.
24. Ai i futi në qelinë më të thellë, sikurse e kishin urdhëruar, dhe ua lidhi këmbët në një zgjedhë druri.
25. Rreth mesnatës Pali e Sila po luteshin e po i këndonin himne Perëndisë, ndërsa të burgosurit i dëgjonin.
26. Papritur ra një tërmet aq i fuqishëm, saqë u drodhën themelet e burgut. Të gjitha dyert u hapën menjëherë dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.
27. Kur roja i burgut u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën e deshi të vriste veten, sepse mendoi se të burgosurit kishin ikur.
28. Por Pali thirri me zë të lartë: «Mos i bëj keq vetes, se jemi të gjithë këtu».
29. Roja i burgut kërkoi dritë, hyri brenda me vrap duke u dridhur dhe ra përmbys para Palit e Silës.
30. Pastaj i nxori jashtë e tha: «Zotërinj, ç’duhet të bëj që të shpëtohem?».
31. Ata iu thanë: «Beso në Zotin Jezu e do të shpëtohesh ti dhe ata të shtëpisë sate».
32. Ata i predikuan fjalën e Zotit atij e të gjithëve atyre që ishin në shtëpinë e tij.
33. Po në atë orë të natës roja i mori dhe u lau plagët. Pastaj, pa u vonuar, u pagëzuan ai dhe tërë ata të shtëpisë së tij.
34. Ai i mori Palin e Silën në shtëpinë e tij, u shtroi për të ngrënë dhe u gëzua shumë, bashkë me ata të shtëpisë së vet që kishin besuar në Perëndinë.
35. Kur erdhi mëngjesi, gjykatësit dërguan rojat për t’i thënë: «Liroji ata njerëz».
36. Roja i burgut e lajmëroi Palin e i tha: «Gjykatësit kanë çuar fjalë t’ju lirojmë, prandaj dilni e shkoni në paqe».
37. Por Pali u përgjigj: «Ata na kanë rrahur para të gjithëve pa na dënuar me gjyq ne që jemi qytetarë romakë, e na kanë futur në burg. Tani dashkan të na nxjerrin nga burgu fshehurazi? Jo! Le të vijnë e të na nxjerrin ata vetë».
38. Rojat ua çuan këto fjalë gjykatësve, të cilët i zuri frika kur dëgjuan se ishin qytetarë romakë.
39. Atëherë erdhën e u kërkuan falje. Pastaj i nxorën nga burgu dhe u kërkuan që të largoheshin nga qyteti.
40. Pasi dolën nga burgu, Pali dhe Sila shkuan në shtëpinë e Lidias. Aty u dhanë zemër vëllezërve dhe u nisën.