Veprat 16:16-26 Së Bashku (ALNT)

16. Një herë, kur po shkonim te vendi i lutjes, takuam një skllave që me anë të një shpirti të lig, parashikonte të ardhmen. Ajo u sillte shumë fitime zotërinjve të saj duke u treguar fatin njerëzve.

17. Kur po na ndiqte ne dhe Palin, bërtiste: «Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë më të lartë dhe ju shpallin udhën e shpëtimit».

18. Ajo e bëri këtë gjë për shumë ditë, por Pali, i mërzitur nga kjo, iu kthye shpirtit të lig e i tha: «Në emër të Jezu Krishtit po të urdhëroj të dalësh prej saj». E shpirti i lig doli menjëherë.

19. Kur zotërinjtë e saj e panë se humbën shpresën për të fituar, i kapën Palin e Silën dhe i tërhoqën zvarrë në shesh përpara parisë së qytetit.

20. Kur i sollën para gjykatësve, thanë: «Këta njerëz po na bëjnë rrëmujë në qytet. Janë judenj

21. dhe po predikojnë zakone që ne romakëve nuk na lejohet t’i mbajmë e t’i zbatojmë».

22. Atëherë turma u ngrit kundër tyre dhe gjykatësit urdhëruan që t’u shqyenin rrobat e t’i rrihnin me shkopinj.

23. Si i rrahën mirë e mirë, i futën në burg dhe e urdhëruan rojën e burgut t’i ruante me kujdes.

24. Ai i futi në qelinë më të thellë, sikurse e kishin urdhëruar, dhe ua lidhi këmbët në një zgjedhë druri.

25. Rreth mesnatës Pali e Sila po luteshin e po i këndonin himne Perëndisë, ndërsa të burgosurit i dëgjonin.

26. Papritur ra një tërmet aq i fuqishëm, saqë u drodhën themelet e burgut. Të gjitha dyert u hapën menjëherë dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.

Veprat 16