14. Një grua me emrin Lidia, që ishte kthyer në besimin e judenjve, po na dëgjonte. Ajo ishte nga qyteti i Tiatirës dhe tregtonte rroba të purpurta. Zoti ia hapi zemrën që të dëgjonte me vëmendje çfarë thoshte Pali.
15. Kur u pagëzua bashkë me ata të shtëpisë së saj, ajo na u lut: «Nëse mendoni se jam besimtare në Zotin, ejani e rrini në shtëpinë time». Dhe na detyroi të pranojmë.
16. Një herë, kur po shkonim te vendi i lutjes, takuam një skllave që me anë të një shpirti të lig, parashikonte të ardhmen. Ajo u sillte shumë fitime zotërinjve të saj duke u treguar fatin njerëzve.
17. Kur po na ndiqte ne dhe Palin, bërtiste: «Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë më të lartë dhe ju shpallin udhën e shpëtimit».
18. Ajo e bëri këtë gjë për shumë ditë, por Pali, i mërzitur nga kjo, iu kthye shpirtit të lig e i tha: «Në emër të Jezu Krishtit po të urdhëroj të dalësh prej saj». E shpirti i lig doli menjëherë.
19. Kur zotërinjtë e saj e panë se humbën shpresën për të fituar, i kapën Palin e Silën dhe i tërhoqën zvarrë në shesh përpara parisë së qytetit.
20. Kur i sollën para gjykatësve, thanë: «Këta njerëz po na bëjnë rrëmujë në qytet. Janë judenj
21. dhe po predikojnë zakone që ne romakëve nuk na lejohet t’i mbajmë e t’i zbatojmë».
22. Atëherë turma u ngrit kundër tyre dhe gjykatësit urdhëruan që t’u shqyenin rrobat e t’i rrihnin me shkopinj.
23. Si i rrahën mirë e mirë, i futën në burg dhe e urdhëruan rojën e burgut t’i ruante me kujdes.
24. Ai i futi në qelinë më të thellë, sikurse e kishin urdhëruar, dhe ua lidhi këmbët në një zgjedhë druri.
25. Rreth mesnatës Pali e Sila po luteshin e po i këndonin himne Perëndisë, ndërsa të burgosurit i dëgjonin.
26. Papritur ra një tërmet aq i fuqishëm, saqë u drodhën themelet e burgut. Të gjitha dyert u hapën menjëherë dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.
27. Kur roja i burgut u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën e deshi të vriste veten, sepse mendoi se të burgosurit kishin ikur.
28. Por Pali thirri me zë të lartë: «Mos i bëj keq vetes, se jemi të gjithë këtu».
29. Roja i burgut kërkoi dritë, hyri brenda me vrap duke u dridhur dhe ra përmbys para Palit e Silës.
30. Pastaj i nxori jashtë e tha: «Zotërinj, ç’duhet të bëj që të shpëtohem?».