Veprat 15:24-41 Së Bashku (ALNT)

24. Meqë kemi dëgjuar se disa që kanë dalë prej nesh, por që nuk janë dërguar nga ne, ju kanë trazuar me fjalë që pështjellojnë shpirtin,

25. kemi vendosur me një mendje që të zgjedhim disa njerëz e t’i dërgojmë te ju së bashku me fort të dashurit tanë Barnabën e Palin,

26. që kanë vënë jetën e tyre në rrezik për emrin e Zotit tonë Jezu Krisht.

27. Kemi dërguar Judën e Silën, që do t’jua tregojnë vetë me gojën e tyre këto gjëra.

28. Shpirti i Shenjtë dhe ne kemi menduar se nuk duhet t’ju ngarkojmë barrë të tjera përveç atyre që janë të nevojshme:

29. hiqni dorë nga flijimet që u kushtohen idhujve, nga pirja e gjakut, nga ngrënia e kafshëve të mbytura e nga kurvëria. Do të bëni mirë të ruheni nga këto gjëra.Ju priftë e mbara!».

30. Atëherë ata u nisën e shkuan në Antioki, mblodhën popullin e u dorëzuan letrën.

31. Kur e lexuan letrën, u gëzuan me këtë porosi që i ngushëlloi.

32. Juda e Sila, që ishin vetë profetë, folën shumë për t’u dhënë zemër vëllezërve e për t’i forcuar.

34 . Por Silës iu duk gjë e mirë të rrinte aty..

35. Por Pali e Barnaba qëndruan në Antioki dhe me shumë të tjerë mësonin njerëzit dhe shpallnin ungjillin e fjalën e Zotit.

36. Pas disa ditësh Pali i tha Barnabës: «Të kthehemi e të takojmë vëllezërit besimtarë në të gjitha qytetet ku kemi predikuar fjalën e Zotit e të shohim si i kanë punët».

37. Barnaba donte që të merrnin edhe Gjonin që quhej Mark,

38. por Pali nguli këmbë që të mos e merrnin me vete atë që ishte ndarë prej tyre në Pamfili e nuk i kishte shoqëruar në veprën e tyre.

39. Ata u grindën kaq shumë, saqë u ndanë nga njëri-tjetri dhe Barnaba mori Markun e lundroi për në Qipro.

40. Pali zgjodhi Silën dhe u nis pasi vëllezërit ia besuan Palin hirit të Zotit.

41. Ai shkoi nëpër Siri e Kiliki dhe i forconte kishat.

Veprat 15