Veprat 14:4-16 Së Bashku (ALNT)

4. Banorët e qytetit u përçanë. Disa ishin me judenjtë e disa me apostujt.

5. Kur paganët dhe judenjtë, bashkë me krerët e tyre, bënë plan që t’i keqtrajtonin e t’i vrisnin me gurë,

6. apostujt e morën vesh dhe shkuan në Listër e Derbë, qytete të Likaonisë, si edhe në fshatrat përreth.

7. Aty vazhduan të shpallnin ungjillin.

8. Në Listër gjetën një njeri me këmbë të paralizuara që në bark të nënës. Ai rrinte ulur dhe nuk kishte ecur kurrë.

9. Pali e pa atë me vëmendje dhe, kur vuri re se ai besonte se do të shërohej,

10. i tha me zë të lartë: «Ngrihu në këmbë!». Atëherë ai u ngrit në këmbë e filloi të ecte.

11. Kur panë se ç’bëri Pali, turmat bërtitën në likaonisht e thanë: «Perënditë kanë zbritur te ne në formë njeriu!».

12. Ata e quajtën Barnabën Zeus, ndërsa Palin Hermes, sepse ishte ai që fliste më shumë.

13. Prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte jashtë qytetit, solli dema e kurora te dyert dhe së bashku me turmat donin t’u kushtonin flijime.

14. Kur e dëgjuan këtë gjë dy apostujt, Barnaba e Pali, grisën rrobat dhe dolën me vrap te turmat duke bërtitur:

15. «O burra, çfarë po bëni kështu? Ne jemi njerëz si ju. Ne ju sjellim ungjillin, që të ktheheni nga këto gjëra të kota te Perëndia i gjallë, që krijoi qiellin, tokën, detin e gjithçka gjendet në to.

16. Në kohën e breznive të kaluara i ka lejuar të gjitha kombet të ndiqnin udhët e tyre.

Veprat 14