Veprat 11:1-19 Së Bashku (ALNT)

1. Apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude dëgjuan se edhe paganët e kishin pranuar fjalën e Perëndisë.

2. Kur Pjetri shkoi në Jerusalem, të krishterët e rrethprerë e sulmuan me fjalë

3. dhe i thanë: «Ti hyre në shtëpinë e njerëzve të parrethprerë e hëngre me ta».

4. Atëherë Pjetri u tregoi hollësisht çfarë i kishte ndodhur:

5. «Isha në qytetin e Jopës dhe po lutesha kur, i rrëmbyer nga Shpirti i Shenjtë, pashë një vegim. Diçka si një pëlhurë e madhe po zbriste dhe, e mbajtur në të katër cepat, ulej nga qielli deri tek unë.

6. Kur e vështrova nga afër, vura re e pashë katërkëmbësh të tokës, egërsira, rrëshqanorë dhe shpendë të qiellit.

7. Atëherë dëgjova një zë që më tha: “Ngrihu, Pjetër. Ther e ha.”

8. Por unë thashë: “Kurrsesi, o Zot, sepse nuk kanë hyrë asnjëherë në gojën time gjëra të papastra e të ndyra.”

9. Pastaj zëri nga qielli më tha për të dytën herë: “Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!”

10. Kjo gjë u përsërit tri herë, pastaj të gjitha u ngritën përsëri në qiell.

11. Pastaj menjëherë tre burra, që i kishin dërguar tek unë nga Cezarea, erdhën te shtëpia ku po rrinim ne.

12. Shpirti i Shenjtë më tha të shkoja me ta pa ngurruar. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër besimtarë dhe hymë në shtëpinë e atij njeriu.

13. Ai na tha se kishte parë një engjëll që i ishte shfaqur në shtëpinë e tij dhe i kishte thënë: “Dërgo njerëz në Jopë të marrin Simonin që e thërrasin Pjetër.

14. Ai do të të thotë fjalët me të cilat ti e shtëpia jote do të shpëtohen.”

15. Kur fillova të flisja, Shpirti i Shenjtë zbriti mbi ta sikurse kishte zbritur mbi ne në fillim.

16. Atëherë m’u kujtua fjala e Zotit, që tha: “Gjoni pagëzon me ujë, ndërsa ju do të pagëzoheni me Shpirtin e Shenjtë.”

17. Nëse Perëndia u dha paganëve të njëjtën dhuratë që na ka dhënë neve kur besuam në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të pengoja Perëndinë?».

18. Kur dëgjuan këto gjëra, ata u qetësuan dhe e përlëvduan Perëndisë duke thënë: «Atëherë Perëndia ua ka dhënë edhe paganëve pendimin që udhëheq drejt jetës».

19. Ata që ishin shpërndarë për shkak të përndjekjes që nisi pas vdekjes së Stefanit, shkuan deri në Fenikë, në Qipro e Antioki, por ua shpallnin fjalën e Zotit vetëm judenjve dhe askujt tjetër.

Veprat 11