1. Apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude dëgjuan se edhe paganët e kishin pranuar fjalën e Perëndisë.
2. Kur Pjetri shkoi në Jerusalem, të krishterët e rrethprerë e sulmuan me fjalë
3. dhe i thanë: «Ti hyre në shtëpinë e njerëzve të parrethprerë e hëngre me ta».
4. Atëherë Pjetri u tregoi hollësisht çfarë i kishte ndodhur:
5. «Isha në qytetin e Jopës dhe po lutesha kur, i rrëmbyer nga Shpirti i Shenjtë, pashë një vegim. Diçka si një pëlhurë e madhe po zbriste dhe, e mbajtur në të katër cepat, ulej nga qielli deri tek unë.
6. Kur e vështrova nga afër, vura re e pashë katërkëmbësh të tokës, egërsira, rrëshqanorë dhe shpendë të qiellit.
7. Atëherë dëgjova një zë që më tha: “Ngrihu, Pjetër. Ther e ha.”
8. Por unë thashë: “Kurrsesi, o Zot, sepse nuk kanë hyrë asnjëherë në gojën time gjëra të papastra e të ndyra.”
9. Pastaj zëri nga qielli më tha për të dytën herë: “Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!”
10. Kjo gjë u përsërit tri herë, pastaj të gjitha u ngritën përsëri në qiell.
11. Pastaj menjëherë tre burra, që i kishin dërguar tek unë nga Cezarea, erdhën te shtëpia ku po rrinim ne.
12. Shpirti i Shenjtë më tha të shkoja me ta pa ngurruar. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër besimtarë dhe hymë në shtëpinë e atij njeriu.
13. Ai na tha se kishte parë një engjëll që i ishte shfaqur në shtëpinë e tij dhe i kishte thënë: “Dërgo njerëz në Jopë të marrin Simonin që e thërrasin Pjetër.
14. Ai do të të thotë fjalët me të cilat ti e shtëpia jote do të shpëtohen.”