31. Ai më tha: “Kornel, Perëndia e ka dëgjuar lutjen tënde dhe i ka kujtuar lëmoshat e tua.
32. Prandaj, dërgo njerëz në Jopë e kërko Simonin, që quhet Pjetër. Ai po rri në shtëpinë e Simon lëkurëpunuesit, afër detit.”
33. Atëherë unë menjëherë dërgova njerëz te ti, e ti bëre mirë që erdhe. Tani ne jemi të gjithë këtu para Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që të ka urdhëruar Zoti të thuash».
34. Atëherë Pjetri filloi t’u fliste:«Me të vërtetë po e kuptoj se Perëndia nuk mban anën e askujt.
35. Kushdo që e druan Perëndinë dhe bën atë që është e drejtë, nga çdo komb qoftë, gjen pëlqim te Perëndia.
36. Ju e njihni fjalën që i ka dërguar ai popullit të Izraelit, duke predikuar ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit. Ai është Zoti i të gjitha gjërave.
37. Ajo fjalë është përhapur nëpër Jude, duke filluar që nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni
38. dhe tregon se si Perëndia e vajosi Jezuin nga Nazareti me Shpirtin e Shenjtë e me fuqi, se si ai shkoi nga një vend në tjetrin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që ishin nën pushtetin e djallit, sepse Perëndia ishte me të.
39. Ne jemi dëshmitarë të të gjitha gjërave që bëri ai në Jude e në Jerusalem.Ata e vranë, duke e varur në drurin e kryqit,
40. por ditën e tretë Perëndia e ngjalli dhe bëri që t’i shfaqej
41. jo të gjithë popullit, por neve, që ishim të zgjedhur nga Perëndia si dëshmitarë dhe që hëngrëm e pimë me të pasi u ngjall prej të vdekurve.
42. Jezui na urdhëroi t’i predikojmë popullit e të dëshmojmë se Perëndia ka caktuar pikërisht atë si gjykatës të të gjallëve e të të vdekurve.
43. Të gjithë profetët dëshmojnë për të e thonë se kushdo që beson në të, merr faljen e mëkateve përmes emrit të tij».
44. Ndërsa Pjetri po fliste ende, Shpirti i Shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që e dëgjonin.
45. Të krishterët e rrethprerë që kishin ardhur me Pjetrin u çuditën sesi dhurata e Shpirtit të Shenjtë iu dha edhe paganëve,
46. dhe i dëgjuan duke folur në gjuhë e duke madhëruar Perëndinë. Atëherë Pjetri tha:
47. «A mund t’ua ndalojë njeri ujin e pagëzimit këtyre njerëzve që morën Shpirtin e Shenjtë sikurse edhe ne?».
48. Pastaj i urdhëroi të pagëzoheshin në emrin e Jezu Krishtit. Atëherë ata i kërkuan të rrinte për disa ditë.