2. e deri ditën kur u ngrit në qiell, pasi u kishte dhënë udhëzime nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë apostujve që kishte zgjedhur.
3. Jezui, pas vuajtjeve dhe vdekjes, iu paraqit atyre i gjallë për dyzet ditë me shumë prova bindëse dhe u foli për mbretërinë e Perëndisë.
4. Kur po hante me ta, i urdhëroi:«Mos u largoni nga Jerusalemi, por prisni aty premtimin e Atit, që keni dëgjuar nga unë.
5. Gjoni pagëzoi me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin e Shenjtë».
6. Ata që ishin mbledhur rreth Jezuit e pyetën: «Zot, a është kjo koha kur ti do të rivendosësh mbretërinë e Izraelit?».
7. Ai iu përgjigj: «Nuk ju takon juve të dini as kohën, as orën që ka caktuar Ati me autoritetin e vet,
8. por kur të zbresë mbi ju Shpirti i Shenjtë do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajet e dheut».
9. Pasi tha këto gjëra, Jezui u ngrit lart në qiell, ndërsa ata po e shihnin dhe një re e mori lart e ata nuk e panë më.
10. Ndërsa vazhdonin të shikonin drejt qiellit, andej nga ishte larguar Jezui, dy burra të veshur me të bardha qëndruan pranë tyre
11. e u thanë: «Burra galileas, pse rrini e shikoni drejt qiellit? Ky Jezu, që u largua prej jush e u ngrit në qiell, do të kthehet ashtu si e keni parë të shkojë në qiell».
12. Pastaj apostujt u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet i Ullinjve, që është afër Jerusalemit rreth një kilometër.
13. Kur hynë në qytet, shkuan te dhoma e sipërme e shtëpisë ku rrinin. Ata ishin Pjetri e Gjoni, Jakobi e Andrea, Filipi e Thomai, Bartolomeu e Mateu, Jakobi i Alfeut, Simon zelltari e Juda i Jakobit.
14. Këta të gjithë i ishin përkushtuar me një mendje të vetme lutjes, së bashku me disa gra, me Marinë, nënën e Jezuit e me vëllezërit e tij.
15. Në ato ditë, në të njëjtin vend ku ishin mbledhur rreth njëqind e njëzet veta, u ngrit Pjetri mes vëllezërve e tha:
16. «Vëllezër, duhej të përmbushej ajo pjesë e Shkrimit të shenjtë që Shpirti i Shenjtë e ka parathënë nëpërmjet Davidit për Judën, i cili u bë udhëheqësi i atyre që kapën Jezuin.