11. Sepse mëkati, duke marrë shkas prej urdhërimit, më mashtroi dhe përmes tij më vrau.
12. Mirëpo ligji i Moisiut është i shenjtë dhe urdhërimi është i shenjtë, i drejtë dhe i mirë.
13. Mos vallë e mira u bë shkak për vdekjen time? Larg qoftë! Vdekjen ma solli mëkati duke përdorur të mirën. Kështu, mëkati e tregoi qartë natyrën e tij të vërtetë dhe përmes urdhërimit u bë mëkat edhe më i rëndë.
14. Ne e dimë se ligji i Moisiut është shpirtëror. Ndërsa unë kam natyrë njerëzore dhe jam i shitur si skllav te mëkati.
15. Nuk di çfarë bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej.
16. Nëse bëj atë që nuk dua, atëherë pranoj se ligji është i mirë.
17. Tani nuk jam më unë që veproj kështu, por mëkati që banon brenda meje.
18. Unë e di se e mira nuk banon brenda meje, domethënë në natyrën time. Unë dua të bëj të mirën, por nuk mundem.
19. Sepse nuk bëj të mirën që dua, por bëj të keqen që nuk dua.
20. Por nëse bëj atë që nuk dua, nuk veproj më unë, por mëkati që banon në mua.
21. Kështu kam zbuluar parimin sipas të cilit sa herë që dua të bëj të mirën, brenda meje gjej vetëm aftësinë për të bërë të keqen.
22. Në të vërtetë, thellë brenda meje unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë,
23. por shoh në gjymtyrët e mia një ligj tjetër, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe më bën rob të ligjit të mëkatit, që gjendet në gjymtyrët e mia.
24. Sa njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup që po më tërheq drejt vdekjes?