Romakëve 7:1-7 Së Bashku (ALNT)

1. O vëllezër, si njerëz që e njihni mirë ligjin e Moisiut, a nuk e dini se ky ligj sundon mbi njeriun për sa kohë ai jeton?

2. Kështu, me këtë ligj gruaja e martuar është e lidhur me burrin për sa kohë që ky jeton; por nëse burri vdes, ligji i jep asaj lirinë nga burri.

3. Por, nëse ajo bëhet gruaja e një burri tjetër kur e ka burrin ende gjallë, ajo do të quhet grua që ka bërë tradhti bashkëshortore. Nëse burri i saj vdes, ajo është e lirë nga ligji i Moisiut dhe po të martohet me një burrë tjetër, ajo nuk bën tradhti bashkëshortore.

4. Në të njëjtën mënyrë, o vëllezërit e mi, edhe ju keni vdekur për sa i përket ligjit të Moisiut, meqenëse jeni bashkuar me trupin e Krishtit. Kështu, ju i përkisni një tjetri, atij që është ngjallur prej të vdekurve, me qëllim që të japim fryte për Perëndinë.

5. Kur ne jetonim sipas natyrës sonë, dëshirat mëkatare, të nxitura përmes ligjit të Moisiut, vepronin në gjymtyrët tona dhe ne jepnim fryte që të çojnë në vdekje.

6. Por tani jemi të lirë për sa i përket ligjit të Moisiut, sepse kemi vdekur ndaj atij që na mbante lidhur. Kështu, i shërbejmë Perëndisë jo sipas mënyrës së vjetër nën germën e ligjit të Moisiut, por sipas një jete të re në Shpirtin e Shenjtë.

7. Ç’të themi, pra? A është ligji i Moisiut mëkat? Larg qoftë! Mirëpo nëse nuk do të ishte ky ligj, unë nuk do ta kisha njohur mëkatin. Unë nuk do ta kisha njohur lakminë nëse ligji i Moisiut nuk do të thoshte: Mos lakmo!

Romakëve 7