Romakëve 3:7-25 Së Bashku (ALNT)

7. Nëse gënjeshtra ime nxjerr më në pah të vërtetën e Perëndisë dhe i jep më shumë lavdi atij, përse u dashka të gjykohem ende si mëkatar?

8. Atëherë, përse të mos themi: «Le të bëjmë të keqen, që të vijë e mira!», siç na përflasin disa dhe na akuzojnë se paskemi thënë? Këta e meritojnë ndëshkimin.

9. Çfarë pra? A kemi epërsi ne judenjtë? Aspak! Sepse sapo e treguam se të gjithë, si judenjtë edhe paganët janë nën mëkat,

10. sikurse thotë edhe Shkrimi i shenjtë: Asnjeri nuk është i drejtë, as edhe një.

11. Nuk gjendet asnjë që kupton. Nuk gjendet asnjë që kërkon Perëndinë.

12. Të gjithë kanë dalë nga udha dhe janë rrënuar. Asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një i vetëm.

13. Gryka e tyre është varr i hapur. Me gjuhë kanë mashtruar. Nën buzë kanë helm nepërkash.

14. Gojën e kanë plot me mallkime e hidhësi.

15. Këmbët e tyre vrapojnë për të derdhur gjak.

16. Në udhët e tyre ka rrënim e mjerim.

17. Ata nuk e kanë njohur udhën e paqes

18. dhe nuk e kanë parasysh frikën e Perëndisë.

19. Ne e dimë se çfarëdo që thotë ligji i Moisiut, e thotë për ata që janë nën këtë ligj, kështu që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota të gjykohet prej Perëndisë.

20. Asnjeri nuk do të bëhet i drejtë para Perëndisë nga veprat që urdhëron ligji i Moisiut, sepse nëpërmjet këtij ligji vjen vetëm njohja e mëkatit.

21. Por tani na është shfaqur se Perëndia na bën të drejtë pa ndërmjetësinë e ligjit të Moisiut, gjë që e kanë dëshmuar ligji i Moisiut e profetët.

22. Perëndia i bën të drejtë, përmes besimit në Jezu Krishtin, të gjithë ata që besojnë në të. Perëndia nuk bën dallim mes judenjve dhe paganëve,

23. sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë lavdinë e Perëndisë.

24. Ata u bënë të drejtë falas, me hirin e tij, përmes Krishtit Jezu, që i shpengoi nga mëkati.

25. Perëndia e kushtoi Jezuin si fli pajtimi, që përmes besimit në gjakun e tij të tregojë drejtësinë e tij për faljen e mëkateve të kryera më parë.

Romakëve 3