4. Apo i përçmon pasuritë e mirësisë, të durimit dhe zemërgjerësisë së Perëndisë pa e ditur se mirësia e tij të çon në pendim?
5. Por me ashpërsinë tënde dhe me zemrën e papenduar po i përgatit vetes një zemërim të madh për ditën kur Perëndia do të zbulojë zemërimin dhe gjykimin e tij të drejtë.
6. Perëndia do ta shpërblejë çdonjërin sipas veprave të veta.
7. Atyre që me durim kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi në vepra të mira, do t’u japë jetën e amshuar,
8. ndërsa ata që janë kryeneçë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, i pret zemërimi dhe tërbimi i Perëndisë.
9. Për çdo qenie njerëzore që bën ligësi do të ketë mundim e ankth, së pari për judeun, por edhe për paganin.
10. Po për këdo që bën të mirën, do të ketë lavdi, nder e paqe, së pari për judeun, por edhe për paganin.
11. Sepse Perëndia nuk është i njëanshëm.
12. Të gjithë ata që kanë mëkatuar pa e njohur ligjin e Moisiut, nuk do të ndëshkohen sipas këtij ligji, ndërsa të gjithë ata që kanë mëkatuar duke e njohur ligjin e Moisiut, do të gjykohen sipas tij.
13. Të drejtë para Perëndisë nuk janë ata që e dëgjojnë ligjin e Moisiut, por ata që e zbatojnë atë.
14. Kur kombet pagane që nuk e kanë ligjin e Moisiut, zbatojnë vetvetiu çfarë thotë ky ligj, megjithëse nuk e kanë ligjin e Moisiut, ato veprojnë si ta kishin atë brenda vetes së tyre.