17. Çfarë të themi për ty që e quan veten jude? Ti mbështetesh në ligjin e Moisiut dhe mburresh me Perëndinë,
18. e njeh vullnetin e tij dhe ligji i Moisiut të ka mësuar të dallosh të mirën.
19. Ti je i bindur se je udhëheqës i të verbërve dhe dritë për ata që janë në errësirë,
20. edukator i të panxënëve dhe mësues i të miturve në besim, sepse në ligjin e Moisiut ke dijen e plotë dhe gjithë të vërtetën.
21. Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson dot veten? Ti që predikon se nuk duhet vjedhur, vjedh?
22. Ti që thua se nuk duhet bërë tradhti bashkëshortore, bën tradhti bashkëshortore? Ti që ke neveri idhujt, plaçkit tempuj?
23. Ti që mburresh me ligjin e Moisiut, çnderon Perëndinë duke e shkelur këtë ligj?
24. Sepse, siç thotë Shkrimi i shenjtë: për shkakun tuaj emri i Perëndisë shahet ndër kombet pagane.
25. Rrethprerja është e dobishme nëse ti zbaton ligjin e Moisiut; por nëse je shkelës i tij, rrethprerja jote nuk vlen.
26. Prandaj, nëse i parrethpreri respekton urdhërimet e ligjit të Moisiut, a nuk do t’ia njohë atij Perëndia parrethprerjen si rrethprerje?
27. Ai që është i parrethprerë, por e zbaton ligjin e Moisiut, do të të gjykoj ty, që, megjithëse je i rrethprerë dhe e ke të shkruar ligjin e Moisiut, je shkelës i këtij ligji.
28. Sepse jude i vërtetë nuk është ai që duket i tillë së jashtmi dhe rrethprerja nuk është diçka e jashtme apo trupore;
29. por jude i vërtetë është ai që është i tillë së brendshmi. Rrethprerja e vërtetë është ajo e zemrës, që bëhet me Shpirtin e Shenjtë e jo me shkronjën e ligjit të Moisiut. Lavdia e judeut të vërtetë nuk vjen nga njerëzit, por nga Perëndia.