14. Kur kombet pagane që nuk e kanë ligjin e Moisiut, zbatojnë vetvetiu çfarë thotë ky ligj, megjithëse nuk e kanë ligjin e Moisiut, ato veprojnë si ta kishin atë brenda vetes së tyre.
15. Me këtë ata tregojnë se urdhërimet e ligjit të Moisiut janë të shkruara në zemrat e tyre, gjë për të cilën dëshmon edhe ndërgjegjja e tyre, edhe mendimet e tyre të brendshme, që herë i akuzojnë për faj e herë i shfajsojnë.
16. Kjo do të dalë në dritë ditën kur Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve përmes Krishtit Jezu, siç e pohon ungjilli që predikoj unë.
17. Çfarë të themi për ty që e quan veten jude? Ti mbështetesh në ligjin e Moisiut dhe mburresh me Perëndinë,
18. e njeh vullnetin e tij dhe ligji i Moisiut të ka mësuar të dallosh të mirën.
19. Ti je i bindur se je udhëheqës i të verbërve dhe dritë për ata që janë në errësirë,
20. edukator i të panxënëve dhe mësues i të miturve në besim, sepse në ligjin e Moisiut ke dijen e plotë dhe gjithë të vërtetën.
21. Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson dot veten? Ti që predikon se nuk duhet vjedhur, vjedh?
22. Ti që thua se nuk duhet bërë tradhti bashkëshortore, bën tradhti bashkëshortore? Ti që ke neveri idhujt, plaçkit tempuj?
23. Ti që mburresh me ligjin e Moisiut, çnderon Perëndinë duke e shkelur këtë ligj?
24. Sepse, siç thotë Shkrimi i shenjtë: për shkakun tuaj emri i Perëndisë shahet ndër kombet pagane.
25. Rrethprerja është e dobishme nëse ti zbaton ligjin e Moisiut; por nëse je shkelës i tij, rrethprerja jote nuk vlen.
26. Prandaj, nëse i parrethpreri respekton urdhërimet e ligjit të Moisiut, a nuk do t’ia njohë atij Perëndia parrethprerjen si rrethprerje?