7. Prandaj pranojeni njëri-tjetrin sikurse Krishti ju pranoi, që të përlëvdohet Perëndia.
8. Po ju them se Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të përmbushur premtimet e dhëna etërve dhe për të treguar se Perëndia është i vërtetë.
9. Ai erdhi edhe që kombet pagane të përlëvdojnë Perëndinë për mëshirën e tij, sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: Prandaj do të të përlëvdoj ndër kombe dhe do të lavdëroj emrin tënd.
10. Përsëri thotë: Ngazëlloni, o kombe, me popullin e Perëndisë.
11. Dhe sërish: Lavdëroni Zotin të gjitha ju kombe dhe të gjithë popujt e lavdërofshin atë!
12. Isaia thotë edhe: Do të vijë rrënja e Jeseut, ai që do të ngrihet për të sunduar kombet. Në të do të shpresojnë kombet.
13. Perëndia i shpresës ju mbushtë plot me gëzim e paqe në besimin tuaj, në mënyrë që me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë të jeni plot me shpresë.
14. Sa për ju, vëllezërit e mi, jam i bindur se jeni plot me mirësi, plot me dije dhe të aftë për të këshilluar njëri-tjetrin.
15. Në disa pjesë të letrës ju shkrova më me ashpërsi për t’ju kujtuar ato që tashmë ju i njihni. E bëra këtë me hirin që më ka dhënë Perëndia
16. për të qenë shërbëtor i Krishtit Jezu për kombet pagane, për të shërbyer si prift për ungjillin e Perëndisë, në mënyrë që kombet të bëhen fli kushtimi që i pëlqen Perëndisë dhe që është e shenjtëruar prej Shpirtit të Shenjtë.
17. Prandaj, falë Krishtit Jezu, unë krenohem me gjithçka që bëj për Perëndinë.
18. Nuk do të guxoja të flisja për asgjë tjetër përveçse për ato që bëri Krishti përmes meje, që t’i sillte në bindje ndaj Perëndisë kombet pagane. Këtë e bëra me fjalë e me vepra,
19. me fuqinë e mrekullive e të shenjave dhe me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë. Kështu, e kam shpallur plotësisht ungjillin e Krishtit, nga Jerusalemi e përqark deri në Iliri.
20. Jam përpjekur të shpall ungjillin atje ku emri i Krishtit nuk njihej, në mënyrë që të mos ndërtoja mbi themelin e tjetërkujt,
21. sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: Do ta shohin ata të cilëve ai nuk u ishte shpallur dhe ata që nuk kishin dëgjuar, do të kuptojnë.