Romakëve 15:1-13 Së Bashku (ALNT)

1. Ne që jemi të fortë në besim, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët në besim dhe të mos bëjmë atë që na pëlqen neve.

2. Secili prej nesh të bëjë çfarë i pëlqen tjetrit, për të mirën e tij, që ai të rritet në besim.

3. Sepse edhe Krishti nuk bëri çfarë i pëlqente atij, por sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua.

4. Gjithçka që u shkrua më parë në Shkrimin e shenjtë, u shkrua për mësimin tonë, që nëpërmjet durimit e ngushëllimit që na jep Shkrimi i shenjtë të kemi shpresë.

5. Perëndia i durimit e i ngushëllimit dhëntë që ju të jeni në një mendje me njëri-tjetrin sipas Krishtit Jezu,

6. në mënyrë që, së bashku me një zë, të përlëvdoni Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jezu Krisht.

7. Prandaj pranojeni njëri-tjetrin sikurse Krishti ju pranoi, që të përlëvdohet Perëndia.

8. Po ju them se Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të përmbushur premtimet e dhëna etërve dhe për të treguar se Perëndia është i vërtetë.

9. Ai erdhi edhe që kombet pagane të përlëvdojnë Perëndinë për mëshirën e tij, sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: Prandaj do të të përlëvdoj ndër kombe dhe do të lavdëroj emrin tënd.

10. Përsëri thotë: Ngazëlloni, o kombe, me popullin e Perëndisë.

11. Dhe sërish: Lavdëroni Zotin të gjitha ju kombe dhe të gjithë popujt e lavdërofshin atë!

12. Isaia thotë edhe: Do të vijë rrënja e Jeseut, ai që do të ngrihet për të sunduar kombet. Në të do të shpresojnë kombet.

13. Perëndia i shpresës ju mbushtë plot me gëzim e paqe në besimin tuaj, në mënyrë që me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë të jeni plot me shpresë.

Romakëve 15