3. Disa nga skribët thanë me vete: «Ky po fyen Perëndinë».
4. Meqenëse Jezui i njihte mendimet e tyre, u tha: «Pse keni këto mendime të këqija në zemrat tuaja?
5. Çfarë është më e lehtë, të thuash “të janë falur mëkatet”, apo të thuash “ngrihu dhe ec”?
6. Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë» - i tha të paralizuarit - «ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi!».
7. Ai u ngrit e shkoi në shtëpi.
8. Kur panë këtë gjë, turmat i zuri frika dhe përlëvduan Perëndinë, që u kishte dhënë njerëzve një pushtet kaq të madh.
9. Si u largua prej andej, Jezui pa një njeri që rrinte ulur në bankën e tagrave dhe që quhej Mate. Jezui i tha: «Më ndiq!». Ai u ngrit dhe i shkoi pas.
10. Ndërsa ishin ulur për të ngrënë në shtëpinë e Mateut, erdhën shumë tagrambledhës e mëkatarë, që u ulën në tryezë me Jezuin dhe me dishepujt e tij.
11. Kur panë këtë gjë, farisenjtë u thanë dishepujve: «Përse mësuesi juaj ha me tagrambledhës e me mëkatarë?».
12. Por kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët.
13. Shkoni e mësoni çfarë do të thotë: Dua mëshirë dhe jo flijime. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët».
14. Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit dhe i thanë: «Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shumë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?».
15. Jezui u tha:«A mund të mbajnë zi dasmorët kur dhëndri është me ta? Por do të vijë dita kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin e atëherë do të agjërojnë.
16. Askush nuk vë një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, sepse arna e gris rrobën dhe grisja bëhet më e madhe.
17. Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se kacekët çahen, vera derdhet e kështu humbasin edhe kacekët. Prandaj, vera e re hidhet në kacekë të rinj e kështu ruhen që të dyja».
18. Ndërsa Jezui po fliste me ta, iu afrua një kryetar sinagoge, që i ra në gjunjë dhe i tha: «Sapo më vdiq vajza, por eja vëri duart mbi të dhe ajo do të jetojë».