Mateu 8:9-28 Së Bashku (ALNT)

9. Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi dhe kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit: “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit: “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim: “bëje këtë”, ai e bën».

10. Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua dhe u tha atyre që po e ndiqnin: «Me të vërtetë po ju them, se nuk e kam gjetur një besim kaq të madh tek asnjeri në Izrael.

11. Prandaj po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, Isakun e Jakobin në mbretërinë e qiejve,

12. ndërsa bijtë e mbretërisë do të hidhen përjashta në errësirë, ku do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh».

13. Pastaj i tha centurionit: «Shko dhe u bëftë sipas besimit tënd!».Dhe shërbëtori u shërua në atë çast.

14. Kur shkoi në shtëpinë e Pjetrit, Jezui pa vjehrrën e Pjetrit që dergjej në shtrat me ethe.

15. Ai ia preku dorën dhe atë e lanë ethet. Atëherë ajo u ngrit që t’u shërbente.

16. Në mbrëmje sollën tek ai shumë të pushtuar nga djalli. Me anë të fjalës ai dëboi shpirtrat e ndyrë dhe shëroi të gjithë të sëmurët,

17. që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia: Mori mbi vete dobësitë tona dhe mbarti sëmundjet tona.

18. Kur pa se ishte i rrethuar nga një turmë e madhe, Jezui urdhëroi të shkonin në bregun tjetër.

19. Një skrib iu afrua e i tha: «Mësues, do të të ndjek kudo që të shkosh».

20. Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, ndërsa Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështesë kokën».

21. Një tjetër, një nga dishepujt, i tha: «Zot, më lejo të shkoj e të varros më parë tim atë».

22. Por Jezui i tha: «Ti më ndiq mua dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre».

23. Pastaj hipi në varkë i ndjekur nga dishepujt e vet.

24. Dhe ja, në liqen u ngrit një stuhi e madhe, aq sa varka u mbulua nga dallgët.Ndërkohë ai flinte.

25. Ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: «O Zot, na shpëto se po mbytemi!»

26. Ai u tha: «Përse keni frikë, o besimpakë?». Atëherë u ngrit e qortoi erërat dhe liqenin. Pastaj u bë bunacë e madhe.

27. Njerëzit, të mahnitur, i thanë njëri-tjetrit: «Kush është ky që i binden edhe erërat, edhe liqeni?».

28. Kur arriti në bregun tjetër, në vendin e gadarenëve, i dolën përpara dy të pushtuar nga djalli, që erdhën nga varrezat. Ata ishin aq të egër, saqë askush nuk guxonte të kalonte asaj rruge.

Mateu 8