8. Centurioni i tha: «O Zot, unë nuk jam i denjë që të hysh nën çatinë time, por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
9. Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi dhe kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit: “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit: “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim: “bëje këtë”, ai e bën».
10. Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua dhe u tha atyre që po e ndiqnin: «Me të vërtetë po ju them, se nuk e kam gjetur një besim kaq të madh tek asnjeri në Izrael.
11. Prandaj po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, Isakun e Jakobin në mbretërinë e qiejve,
12. ndërsa bijtë e mbretërisë do të hidhen përjashta në errësirë, ku do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh».
13. Pastaj i tha centurionit: «Shko dhe u bëftë sipas besimit tënd!».Dhe shërbëtori u shërua në atë çast.
14. Kur shkoi në shtëpinë e Pjetrit, Jezui pa vjehrrën e Pjetrit që dergjej në shtrat me ethe.
15. Ai ia preku dorën dhe atë e lanë ethet. Atëherë ajo u ngrit që t’u shërbente.
16. Në mbrëmje sollën tek ai shumë të pushtuar nga djalli. Me anë të fjalës ai dëboi shpirtrat e ndyrë dhe shëroi të gjithë të sëmurët,
17. që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia: Mori mbi vete dobësitë tona dhe mbarti sëmundjet tona.
18. Kur pa se ishte i rrethuar nga një turmë e madhe, Jezui urdhëroi të shkonin në bregun tjetër.
19. Një skrib iu afrua e i tha: «Mësues, do të të ndjek kudo që të shkosh».