1. Kur Jezui zbriti nga mali, një turmë e madhe i shkoi pas.
2. Dhe ja, një i lebrosur iu afrua dhe i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, po të duash ti mund të më pastrosh».
3. Jezui shtriu dorën, e preku dhe i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe ai u pastrua menjëherë nga lebra.
4. Jezui i tha: «Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti dhe kushto dhuratën që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t’u shërbejë si dëshmi».
5. Kur Jezui hyri në Kafarnaum, iu afrua një centurion dhe iu lut:
6. «O Zot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë».
7. Jezui i tha: «Do të vij ta shëroj».
8. Centurioni i tha: «O Zot, unë nuk jam i denjë që të hysh nën çatinë time, por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
9. Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi dhe kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit: “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit: “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim: “bëje këtë”, ai e bën».
10. Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua dhe u tha atyre që po e ndiqnin: «Me të vërtetë po ju them, se nuk e kam gjetur një besim kaq të madh tek asnjeri në Izrael.
11. Prandaj po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, Isakun e Jakobin në mbretërinë e qiejve,
12. ndërsa bijtë e mbretërisë do të hidhen përjashta në errësirë, ku do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh».
13. Pastaj i tha centurionit: «Shko dhe u bëftë sipas besimit tënd!».Dhe shërbëtori u shërua në atë çast.
14. Kur shkoi në shtëpinë e Pjetrit, Jezui pa vjehrrën e Pjetrit që dergjej në shtrat me ethe.
15. Ai ia preku dorën dhe atë e lanë ethet. Atëherë ajo u ngrit që t’u shërbente.
16. Në mbrëmje sollën tek ai shumë të pushtuar nga djalli. Me anë të fjalës ai dëboi shpirtrat e ndyrë dhe shëroi të gjithë të sëmurët,
17. që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia: Mori mbi vete dobësitë tona dhe mbarti sëmundjet tona.